Ish-trajneri i Partizanit analizon barazimin e Napolit, Agostineli: Gara për Champions shumë e ashpër

Napoli bëri një hap falsë ditën e djeshme në kampionat teksa u ndal në një barazim 3-3 në transfertë ndaj Sasuolos. Rreth kësaj ndeshje ka komentuar edhe ish-trajneri i Partizanit dhe më pas Skënderbeut në vitin 2016, Andrea Agostineli. Ky i fundit thekson se ishin pikë të rënda ato që humbi Napoli, pasi gara për të siguruar një vend në Ligën e Kampionëve po vështirësohet shumë.

“Ishte një mundësi e humbur nga Napoli, megjithatë duke parë ndeshjen edhe Sasuolo nuk e meritonte të humbiste. Këto janë pikë të rënda dhe napoletanët duhet të përmirësohen sepse gara për një vend në Champions po bëhet shumë e ashpër. Napolit i mungoi eksperienca, duhej të menaxhonte avantazhin, fitorja ishte fare pak larg dhe duhej kontrolluar. Tani janë 3-4 ekipe me dy ose tre pikë diferencë.

Për mendimin tim ka akoma kohë dhe për mua, me organikën që ka Napoli e ka për detyrim të arrijë në katër vendet e para. Përgjegjësia e Gatuzos? Ka edhe trajneri përgjegjësi, por nuk më pëlqen t’i vendoset i gjithë faji atij. Duhen ndarë përgjegjësitë dhe aty ka një pjesë edhe shoqëria”, u shpreh Agostineli. /VipSport.al/