Ish-futbollisti i Partizanit: Ekipit i duhet sulmues race, si të kënaqem nga merkato kur erdhën 2 lojtarë me bujë dhe nuk luajnë

Edmond Dosti është një nga emrat që mbetet shumë i lidhur me Partizanin, duke qenë edhe një ish-futbollist i të kuqve. Së fundmi, Dosti ka folur për Fax Sport, ku ka theksuar se skuadrës i duhet një apo dy sulmues rrace, ndërsa shton se nga merkato nuk ka mbetur shumë i kënaqur pasi erdhën me bujë 2 lojtarë, por nuk po luajnë fare.

“Partizani ka vite që po i mungon një pykë. Tirana bleu dy lojtarë. Erdhën për të bërë diferencën. Për mendimin tim është një blerje e nxituar dhe e gabuar. Por mua më rreh zemra aty ku unë dua më shumë, Partizani. Ia kam thënë edhe Dajës dhe drejtorit, që duhet të shikojmë të paktën për vitin tjetër. Partizani duhet të marri të paktën 1 ose 2 sulmues rrace.

I kënaqur me merkaton e janarit? Po si të jem i kënaqur? Kanë ardhur dy lojtarë që erdhën me bujë te Partizani dhe nuk po luajnë. Mos të bëjmë gabimet e viteve të kaluara, që morëm lojtarë të paguar shumë mirë dhe nuk bënë asgjë. Ilir Daja dhe drejtori Rama duhet të dalin dhe të thonë Hasani dhe braziliani nuk janë në formë dhe do i presim vitin tjetër. Po më çudit kjo, kanë ardhur me bujë dhe nuk po luajnë.

Unë jam tifoz i futbollistëve në Shqipëri. Lojtarët që vijnë nga jashtë duhet të bëjnë diferencën. Duhet të jenë disa herë më të mirë se lojtarët tanë. Po të jenë të barabartë nuk kemi për çfarë i duam. Nuk janë as për të mirën e futbollit tonë, as të Partizanit. Kjo është ajo që ne kur kemi ikur jashtë shtetit kemi bërë diferencën dhe na kanë pranuar e na kanë trajtuar më mirë se lojtarët e vetë. Por kemi dhënë 120%. Kur shikon lojtarë të huaj që paguhen shumë mirë dhe nuk bëjnë diferencën në kampionatin tonë, për çfarë duhet të flasim tjetër? Më mirë i besoj akademisë, që më dhimbset kur investojnë prindërit e tyre dhe janë lojtarë që edhe e meritojnë, e vijnë lojtarë të huaj pa pikë CV-je”, u shpreh Dosti. /VipSport.al/