Intervista për “Vipsport.al”, Gentian Mezani: Kam oferta nga Kosova e Superiorja, Flamurtari e Luftëtari dy shkolla që i mungojnë elitës!

Gentian Mezani i përket brezit të trajnerëve të rinj në vendin tonë dhe që ka drejtuar me sukses skuadra si Flamurtarin duke e shpëtuar dy herë nga rënia nga Superiorja. Por, jo vetëm, Mezani ka trajnuar me mjaft sukses edhe Laçin në elitë, pa thënë se ka bërë historinë me skuadrën e Gjilanit në Kosovë, duke e nxjerrë nënkampione, për herë të parë, por edhe duke e çuar në Kupat e Europës, diçka që nuk ishte provuar kurrë më parë nga gjilanasit…

Në një intervistë që ka dhënë enkas për “Vipsport.al”, Gentian Mezani flet për ofertat, por si specialist analizon edhe eksperiencat në Shqipëri dhe Kosovë, apo dhe skuadrat që ka drejtuar si dhe Superioren… 

– Ke pasur oferta nga Shqipëria?

Po, kam pasur oferta nga Superiorja shqiptare, i kam studiuar, momentalisht jam pa ekip edhe për shkak të disa kritereve bazë që unë kërkoj për të nisur një projekt…

– “Shkruajtët” historinë me Gjilanin, është folur edhe për rikthimin tëndë në Kosovë te gjilanasit. A ke pasur oferta të tjera?

Ne Gjilan, unë kalova mjaft mirë dhe arritëm atë objektiv që kishim Kupat e Europës si dhe marrëdhënia ime me presidentin është mjaft e mirë dhe kjo ndoshta ka ndikuar në atë që është përfolur, por mund të them që “kurrë mos thuaj kurrë… !”

-Laçi  që e ke drejtuar është në garë për titull, në një moment historik për skuadrën kurbinase…

Laçi ka disa vite tashmë që është një skuadër e fortë për këdo kundërshtar, por këtë kampionat ka treguar që ka stofin për kampion dhe nuk e shikoj çudi që mund edhe ta fitojë këtë kampionat, pasi me të gjitha skuadrat e kreut mund të them që është treguar superior.

-Flamurtari, cili është shpëtimi për të dalë nga kjo situatë aspak e përshtatshme për një ekip me histori?

Per Flamurtarin e ketij viti mund te them vetem një gjë që e kam thënë shpesh në këto komente… ,po u shërben shumë të rinjve vlonjat dhe ata duhet ta shfrytëzojnë mirë këtë rast që po u jepej, ndërsa për të ardhmen e afërt shpresoj që të ketë një objektiv për ngjitjen në Superiore, sepse po i mungon shumë kampionatit shqiptar një emër i madh si Flamurtari.

-A të vjen keq për Luftëtarin, pasi është një ekip që ka bërë histori në futbollin shqiptar dhe ka pasur lojtarë titullarë në Kombëtare deri dhjetë vite më parë si: Haxhi, Bellaji apo dhe Xhumba?

Sigurisht që më vjen keq, sepse aty gjeta njerëz shumë të mire dhe tifozë që e donin shumë Luftëtarin, por keqmenaxhimi besoj bëri që të arrinte në këtë pikë.

-Çfarë të bën përshtypje në Superiore këtë sezon?

Ajo që më bën më shumë përshtypje këtë vit është, se kemi shumë lojtarë të rinj në çdo skuadër dhe që janë ingranuar mjaft mirë në kampionat, që do të thotë, që nga viti në vit do të bëhet edhe më e fortë Superiorja…

Intervistoi: Erjon Saliu/Vipsport.al/