Interi në shitje, por pasi Zhang të ngrejë trofeun e titullit. Ëndrra i kushton 200 milionë euro

Interi duket shumë i sigurt në këtë edicion në rrugën drejt titullit kampion pasi skuadra e Antonio Kotnes ka një marsh ndryshe nga ndjekësit dhe për më tepër tani nuk gabon ndeshjet e rëndësishme ndaj skuadrave të vendit të fundit të tabelës, siç ishte ajo mbrëmë ndaj Parmës. Por paralelisht me rrugëtimin fantastik në kampionat, është edhe telashi i shumëfishtë financiar i klubit i cili është nxjerrë në shitje nga kompania Suning.

Negociatat me fonde të ndryshme vazhdojnë, por tani pronarët e klubit po tentojnë me çdo mënyrë që të shtyjnë shitjen e aksioneve të tyre, pasi duan të kapin fundin e sezonit. Sipas medieve italiane, ëndrra e Stiven Zhang është që të ngrejë lart trofeun e Serisë A para se të largohet përfundimisht nga zikaltërit, një shpërblim i vogël duke pasur parasysh investimin e këtyre viteve.

Por për të mbajtur gjallë këtë ëndërr deri në fund të sezonit, duhet që Suning të gjejë urgjentisht 200 milionë euro për t’i investuar në klub, në mënyrë që të kryejë sa më par pagesat e prapambetura e të mos kthejë suksesin në një dështim historik, pasi zikaltërit rrezikojnë seriozisht të mos regjistrohen në Europë në sezonin e ardhshëm nëse vazhdojnë me këtë ritëm. Një gjë e tillë do të ishte një goditje shumë e rëndë për imazhin e kompanisë ndaj po bëhet maksimumin që të garantohet një fond i tillë nga paratë e shitjes së 23% të suning.com te shteti kinez, edhe pse ky i fundit pengon daljen nga vendi të shifrave kaq të larta. /vipsport.al/