Interi në shitje, por në Itali mbërrin oferta zyrtare për të blerë… Milanin

Prej disa javësh, në Itali flitet vetëm për shitjen e mundshme të klubit të Interit, pasi pronarët kinezë nuk anë ndër mend që të vazhdojnë të investojnë më në sport. Por ndërsa të gjithë presin të mësojnë se kush është i interesuar për blerjen e zikaltërve, në mënyrë të papritur në Itali ka mbërritur dhe është bërë publike një ofertë për të blerë klubin e Milanit.

Fondi Elliot e mori klubin nga kinezët dy vite më parë dhe pasi e ktheu në pretendent, kërkon të përfitojë me sa duket nga ky moment për të siguruara sa më shumë të ardhura. Një zyrë ligjore në Itali, ka bërë publik faktin se është ngarkuar nga fondi “World Lab Technologies”, për të nisur negociata për të blerë Milanin nga Elliot.

Fondi në fjalë, është në pronësi të biznesmenit moldav Aleksandr Jukov. Sipas vetë njoftimit, fondi në fjalë ka një kapacitet të jashtëzakonshëm ekonomik që vjen nga investimet në energjinë e rinovueshme, teknologjinë dhe sportin. Zyra ligjorë bënte të ditur se nëse Jukov do të gjente një akord me Elliot, atëherë do të publikoheshin të dhëna të tjera rreth kalimit të mundshëm të pronësisë.

Ky ka qënë padyshim një lajm i papritur në Itali, ku askush nuk mendonte në këto momente për shitjen e Mi,anit, edhe pse kuqezinjtë kanë qenë gjithmonë në treg që kur kaluan në pronësinë e Elliot. /vipsport.al/