Grima i kënaqur nga grumbullimi: Ritmi i stërvitjeve duhet të jetë më i lartë, u evidentuan elemente

Kombëtarja e femrave ka zhvilluar një grumbullim shtatë ditor në javën e kaluar, në Ulqin të Malit të Zi. Një grumbullim i cili i ka shërbyer më së shumti trajnerit Armir Grima, i cili në një intervistë për fshf.org, thekson se janë evidentuar talente, por shton se ritmi i stërvitjeve në skuadrat e femrave duhet të jetë pak më i lartë.

Së pari, dua të falënderoj Federatën Shqiptare të Futbollit për kushtet që na krijoi dhe organizimin e këtij grumbullimi. Ishte një grumbullim që kishte shumë vlera për Kombëtaren e femrave, pasi për një javë ne mundëm të testojmë dhe të shohim nga afër të gjitha futbollistet e thirrura. Madje, mund të them që ne duhet të shohim mundësitë që të organizojmë më shpesh grumbullime të tilla, sepse e ndihmojnë shumë Kombëtaren e femrave.
Sigurisht, duke bërë analizat e rastit mendoj se vajzat kanë nevojë për shumë përgatitje me klubet e tyre, për më shumë stërvitje që të jenë në maksimumin e tyre. Besoj se ia kemi arritur qëllimit gjatë asaj jave që zhvilluam stërvitje rregullisht, pasi tashmë kam një ide edhe më të qartë për gjendjen e skuadrës, por edhe për çdo futbolliste në veçanti”.

Zhvillimi në kampionatin shqiptar- ” Staf i ynë teknik është në komunikim të vazhdueshëm me trajnerët e klubeve të vajzave dhe ne i inkurajojmë që të shtohet paksa ritmi i stërvitjes së përditshme. Ne kemi nevojë që ritmi i stërvitjes të jetë sa më i lartë nëpër klube për të pasur vajza sa më në formë me Kombëtaren.
Edhe niveli i kampionatit shqiptar të femrave mendoj se po përmirësohet vazhdimisht. Rivaliteti është edhe më i fortë nga sa ka qenë vitin e kaluar, kështu që kjo na jep shpresë edhe për Kombëtaren edhe për ekipet e tjera të moshave kuqezi.
Në këtë grumbullim munda të evidentoj disa elementë mjaft cilësorë, si për shembull Luana Zajmi, e cila erdhi nga Sllovenia dhe mendoj se ka shumë potencial për të ardhmen, por edhe disa vajza të tjera të reja”, u shpreh Grima. /VipSport.al/