Flet goleadori Broja: Unë si Ronaldo, Suarez e Ibra. Më ndihmoi Shqipëria, dua të kaloj Drogba te Çelsi

Armando Broja është kthyer në një nga personazhet e rinj më interesantë në skenën e futbollit europian, pasi sulmuesi i talentuar shqiptar, aktualisht është adoleshenti i cili ka shënuar më shumë gola në 10 kampionatet kryesore të Europës. Gjithçka e ka bërë në vitin e tij të parë mes profesionistëve, në një vend që nuk është ai ku është rritur, pasi futbollisti rritur në Angli është i huazuar te Vitese në Holandë.

Ai kishte pranuar të shkonte te kjo skuadër në huazim nga Çelsi, vetëm duke menduar se shumë sulmues të mëdhenj kanë kaluar nga ky kampionat në dekadat e fundit. Braziliani Ronaldo, por edhe Luis Suarez e Zlatan Ibrahimoviç janë ndër yjet që kanë treguar talentin e tyre në këtë kampionat.

“Ronaldo original ishte i pabesueshëm, me shumë mundësi është sulmuesi më i mrië i të gjitha kohëve, Unë isha pak i vogël për ta ndjekur në TV, por kam parë video të tij në YouTube, E dija që Ronaldo kishte ardhur te PSV dhe që Suarez e Zlatan ishin te Ajaksi. Shumë sulmeus të mirë kanë luajtur në Holandë në sezonin e tyre të parë, ndërsa mendova se është një vend i mirë për të mësuar dhe për t’u zhvilluar’, tha Broja në një intervistë sot për “Goal.com” ku tregoi ambiciet e tij.

“Me 9 gola dhe 2 asiste në kampionat, është një bilanc i mirë por unë nuk jam kurrë i kënaqur. Unë dua të shënoj më shumë dhe të jap më shumë asiste, që të kem shifra sa më të mira. Kam luajtur mbi 1000 minuta dhe kam kontribuuar në 11 gola. Nuk është keq, por unë dua më shumë”, tha ai. Megjithatë, Broja duhet të jetë i kënaqur me faktin se për momentin ka barazuar kuotën e golave të shënuar nga Ibrahimoviç në sezonin e tij të parë në Holandë, ndërsa Suarez realizoi një më shumë në vitin kur iu bashkua Groningen, para se të kalonte te Ajaksi.

Sulmuesi ëndërron që të lërë shenjë te Vitese, në mënyrë që të kthehet te Çelsi sa më e parë e të bëhet protagonist. Ai ka treguar në këtë intervistë se si u bë pjesë e bluve rastësisht, pasi i ishte bashkuar më parë Totenhemit, por që me ekipin U9 e më pas kishte qenë vetëm me ngjyrën blu të veshur. Gjërat nuk kanë qenë gjithmonë mirë për të te Çelsi, por ai mori një ndihmë në momentin më të vështirë nga ftesa që i erdhi nga Shqipëria.

“Në vitin tim të parë te U18, kur isha 17 vjeç, nuk po kaloja një sezon të mirë. Isha në stol dhe kur më jepej rasti, kisha vështirësi. Shënova 2 gola në gjithë sezonin, ndaj isha i rënë edhe moralisht. Prindërit e mi u munduan të më ndihmonin e inkurajonin, por kisha humbur besimin. Edhe në stërvitje po gaboja gjuajtje, ndaj nuk luaja shumë. Por pastaj mora një shtysë nga prindërit e mi pasi Shqipëria më ftoi të luaja në verë. Ishte ekipi U19 ndaj mendova se do të ishte gjë e mirë të shkoja atje, të merrja pak besim në një skuadër tjetër, me lojtarë të tjerë dhe të largoja mendjen nga Çelsi”, shpjegoi lojtari.

Aty erdhi pika e kthesës, pasi Broja shënoi 5 gola me U19 të Shqipërisë dhe shtoi 2 në debutimin e tij me Shqipërinë U21 ndaj Uellsit, ku luajti si zëvendësues. Forma e shkëlqyer vazhdoi në sezonin e ri me të rinjtë e Çelsit ku ai nuk u ndal së shënuari dhe u bë sulmuesi më rezultativ i akademisë.

Broja pranoi të jepej huazim në verë, por tani uron që të kthehet në klubin me të cilin ka qenë tifoz që I vogël, pasi ka si objektiv që të arrijë e kalojë disa nga legjendat që kanë qenë pjesë e tij.

“Dikur thosha “Uau ai është Frenk Lampard, Drogba apo Xhon Terri“ kur i shihja në klub. Adhuroja që të bëja foto me ta pasi dëshiroja që të bëhesha si ata, dëshiroja që të isha në vend të tyre në nivelet më të larta. Tani po i afrohem moshës kur ata ishin kur filluan të luanin, dua të mundohem të kaloj Drogba. Mund të mos jetë e lehtë, por ky është mentaliteti im dhe çfarë ndjej”, shpjegoi Broja ambiciet që ka për t’u bërë protagonist me fanellën e bluve londinezë. /vipsport.al/