Flamurtari në kaos, Resuli: Duhet të bëjmë kthesën, nuk na shkon ky pozicion

Nuk mjaftoi rënia nga elita, por edhe moszhvillimi i merkatos. Në Vlorë tashmë janë duke u përshtatur me grupin e lojtarëve që ka mbetur, ku bien në sy veç Moçka e Ribaj nga ata me eksperiencë në kampionatin tonë.

Flamurtari u mund 2-0 në Kavajë, ndërsa trajneri Dritan Resuli ka pohuar pas sfidës me kavajasit dhe në prag të një beteje mjaft delikate me Egnatian që luhet nesër në Vlorë se: “Ndihem i dëshpëruar nga humbja. Këtij Flamurtari me lojtarë të rinj në moshë i mungon përvoja për të treguar më shumë. Në pjesën e parë nuk arritëm t’i shfrytëzonim 2-3 raste të mira”.

“Në të dytën, veçanërisht pas pësimit të golit të parë, Besa na vuri në vështirësi. Ne kemi dy modele të rëndësishme në ekip siç janë portieri Shpëtim Moçka dhe sulmuesi Andi Ribaj. Futbollistët e tjerë duhet të ecin nën shembullin e tyre”, – tha trajneri vlonjat, Dritan Resuli.

E.S./Vipsport.al/