Duro: Të gjitha ndeshjet të rëndësishme, është herët për aleanca!

Trajneri i Laçit, Shpëtim Duro ka folur ditën e sotme për mediat, në prag të ndeshjes me Kukësin, e cila është planifikuar të luhet nesër dhe që është mjaft e rëndësishme për ecurinë dhe synimet sezonale që kanë të dyja skuadrat.

“Në ndeshjen me Partizanin ishin dy skuadrat më në formë, që treguan personalitet gjatë gjithë ndeshjes. Ne po përgatitemi për ndeshjen e nesërme me Kukësin. Janë një ekip shumë i mirë, pavarësisht pozicionit në të cilin ndodhen. Ka pasur luhatje, nga ndeshja në ndeshje, por është skuadër që ka shumë cilësi. Kanë lojtarë të mirë, vlerësimi nga skuadra jonë duhet maksimalisht, siç e vlerësuam Partizanin”, – tha fillimisht trajneri Shpëtim Duro i skuadrës së Laçit.

“Të gjitha ndeshjet janë të rëndësishëm, jo vetëm me Kukësin. Megjithatë në futboll janë 3 rezultate, në varësi të lojës. Ndeshjet e shpeshta, të krijojnë probleme, megjithatë kemi pasur alternativa. Kemi disa mungesa të rëndësishme. Aleancat? Nuk është momenti për aleanca, është herët. Ne jemi të përqendruar për ndeshjen e nesërme dhe duhet të jemi aty të përqendruar.”

E.S./Vipsport.al/