Duro i përgjigjet Kukësit: Pishman që nuk e mbyllëm 3-0 pjesën e parë. Në pozita të barabarta për titullin

Polemikat e lindura pas fitores së Laçit ndaj Kukësit, me akuzat e verilindorëve për fitoren që iu dhurua kurbinasve nga gjyqtari, kanë gjetur kundërshtinë e trajnerit Shpëtim Duro. Tekniku i Laçit, në fjalët e tij për “Neës 24”, ka hedhur poshtë këto akuza, duke bërë të qartë se skuadra e tij e kishte merituar plotësisht të fitonte ndeshjen e dominuar.  Ai e sheh Laçin me të drejtë si pretendent për titullin kampion, por paralajmëron se më e vështira po vjen që në ndeshjen ndaj Apolonisë.

“Sigurisht tani jemi në stad të barabartë të katër skuadrat, është meritë e skuadrës që mbërriti në këto situata. Jemi në pozita të barabarta me skuadrat e tjera për të tentuar të fitojmë kampionatin

Ka qenë një fitore shumë e rëndësishme ndaj Kukësit, një fitore totalisht e merituar. Kemi dominuar gjithë ndeshjen, pishman më ka ngelur pjesa e parë që duhej ta fitonim 2 apo 3-0 me rastet që krijuam në pjesën e parë apo fillimin e pjesës së dytë. Ndaj me atë që dha skuadra kemi gabuar te momenti i vetëm që kishte situatë Kukësi, rastin e golit. Në pjesën tjetër skuadra ka qenë jashtëzakonisht mirë në fushën e lojës.

Laçi tani është një pikë larg vendit të parë, ka dominuar ndaj skuadrave më të forta të kampionatit shqiptar. Kemi bilanc më të mirë me të gjithë skuadrat kryesore dhe në këtë aspekt kemi të drejtë që të pretendojmë për titullin kampion.

Rinovimi? Nuk kemi diskutuar sepse jemi të përqendruar te sezoni. Kjo është pjesa më e rëndësishme e sezonit, në kampionat dhe Kupë. Ajo është një problem që nuk ka rëndësi tani. Jemi të përqendruar në këtë sezon e pastaj të shohim e bëjmë.

Ndeshja me Apoloninë? Unë i konsideroj të gjitha ndeshjet njëlloj, pikët janë të barazvlefshme për të gjitha skuadrat. Në këto ndeshje skuadrës i duhet patjetër mobilizimi e përqendrimi më i madh se këto skuadra na kanë hapur punë jo vetëm ne, por edhe Partizanit e të tjerave. Me këto skuadra fitohet në fushë e jo para ndeshjes. Humbjen e vetme këtë sezon e kemi në Fier, dihet ajo humbje që nuk ishte verdikti i fushës por disa faktorë që u mposhtëm. Ndaj do përqendrim ajo ndeshje”, tha Duro. /vipsport.al/