Djarmati: Nuk ishim përgatitur për krizë të gjatë. Nuk ka shanse të dëgjoni gjë kundër lojtarëve nga ne

Drejtori sportiv i Vllaznisë, Matko Djarmati, e pranon se në klubin shkodran nuk kishin qenë të përgatitur për një krizë kaq të gjatë e një mungesë të theksuar rezultatesh si ajo që po kalojnë kuqeblutë. Në një intervistë për RTSH Sport, ai ka shpjeguar se si klubi po mundohet të bëjë kthesën, ndërsa ka parë pak nga Vllaznia e vjetër ndaj Teutës, duke besuar se do të shfaqet edhe më shumë kundër Kukësit në takimin e radhës.

“Nuk ishim përgatitur për një krizë kaq të thellë rezultatesh. Pjesa e dytë kundër Teutës na ka dhënë një ndjesi pozitiv, të një lojë që e kishim parë deri 5-6 javë përpara. Ishim përgatitur për një krizë por nuk kemi menduar se do të jetë kaq e gjatë se tani afërsisht në 6 javët e fundit ka vetëm një fitore. Në krahasim me përpara është një krizë, por çdo ditë po studiojmë, shohim ndeshjet e vjetra, ku mund të përmirësohemi dhe shpresojmë me punën që kemi bërë deri tani do të provojmë të ndryshojmë fatin kundër Kukësit.

Lojtarët janë afërsisht njëlloj, janë 3-4 lojtarë që kanë hyrë në formacion, trajneri është njëlloj, unë jam këtu. Mënyra e stërvitjes është ajo që kemi pak problem se jemi mësuar me futboll me shumë takime e pasa të shpejtë dhe nuk kemi pasur mundësi ta praktikojmë në stërvitje e ndeshje. Unë nuk kam qejf të kërkoj alibi por kur bën një analizë çfarë ka ndryshuar nga ekipi, i vetmi ndryshim ishin terrenet sportive. Kur ka filluar kampionati kishim një fushë të mirë për stërvitje, sot ajo fushë nuk është në gjendje optimale. Shpresojmë që me kohën e mirë edhe ajo fushë të vijë në gjendje më të mirë.

Këto lojtarë janë ato që kemi, nuk ka shanse të dëgjoni nga trajneri apo unë diçka kundër këtyre lojtarëve. Ne kemi nxjerrë maksimumin nga këto lojtarë dhe do të kërkojmë deri në fund të marrim maksimumin. Në fund të sezonit do të bëjmë llogari dhe do të shohim kush ka dhënë maksimumin dhe kush është për vitin tjetër e kush nuk është. Jam absolutisht i kënaqur me lojtarët që kemi. Në janar nuk gjen lojtarë në nivele më të lartë. Mendoj se nuk kemi gabuar në merkaton e dimrit, por duhet edhe pak përshtatje, duhet edhe kohë. Çdo ditë që stërviten me ne, vijnë në formë më të mirë se sa kanë ardhur.

Me Kukësin është një ndeshje shumë e vështirë, edhe ata kanë shumë presion se kanë një president shumë kërkues. Ne luajmë në shtëpi, kemi luajtur dy ndeshje me Kukësin. Kemi luajtur shumë mirë në shtëpi e jemi mundur 4 2. Kemi luajtur në “Elbasan Arena” e kemi qenë absolutisht dominues e kemi fituar vetëm 1-0. Ne na bëjnë punë vetëm tre pikët se me një barazim apo humbje ne dalim në vend të dytë apo të tretë”, shpjegoi Djarmati. /vipsport.al/