Debati për Hysajn, përfshihet edhe djali i Maradonës: Nuk e kuptoj pse insistohet me të

Barazimi i Napolit me Sasuolon me një penallti në minutat e fundit, ka kthyer edhe një here tensionin në radhët e napolitanëve me shumë lojtarë, apo edhe trajnerin Gatuzo, që kanë përfunduar në bankën e të akuzuarve.

Një nga diskutimet më të gjera në rrjetet sociale, por edhe nga specialistët, është ai i aktivizimit të Elseid Hysajt në krahun e majtë, kur në ekip tashmë ka dy lojtarë në gjendje optimale si Ghoulam dhe Mario Rui, që janë lojtarë të atij pozicioni.

Për këtë temë ka folur edhe Diego Maradona Jr., djali i legjendës argjentinase që u nda nga jeta pak muaj më parë. Ai është një personazh mjaft i lidhur me Napolin, duke qenë një nga tifozët e zjarrtë të skuadrës së qytetit ku është lindur e jeton.

“Nuk e kuptoj se përse ngulet këmbë për Hysjan në krahun e majtë, kur në atë krah mund t’i besosh si Mario Ruit, ashtu edhe Gulam të rikuperuar”, ishin fjalët e tij për një nga radiot napolitane, duke evidentuar atë që sipas tij është një nga pikat e dobëta të rreshtimit të Gatuzos.

Mediat italiane janë të bindura se me ndeshjen e mbrëmshme dhe me penalltinë e shkaktuar, minutazhi i Hysajt do të reduktohet ndjeshëm në vazhdimin e kampionatit pasi Gatuzo do të jetë i detyruar që të dëgjojë udhëzimin e presidentit De Laurentis për të aktivizuar sa më pak futbollistë që janë në fundin e kontratës së tyre e që nuk do të rinovojnë. /vipsport.al/