Daja: Kaluam pritshmërinë, Asani i jep bukuri lojës së Partizanit. E mira e këtij kampionati është se nuk bën dot aleanca

Ilir Daja është i ndërgjegjshëm që Partizani i tij ka kalutar çdo pritshmëri që kishte ndaj asaj që mund të arrinte skuadra. Nëse në fillim të edicionit pakkush e parashikonte një ekip të tillë si pretendent, tashmë të kuqtë e shohin veten në mes të garës për titull dhe për trajnerin, kjo është meritë e një pune serioze që ka bërë të ndryshohet komplet fytyra e ekipit.

Në një intervistë për RTSH Sport, Daja ështe ndalur te ecuria e skuadrës, merkato, elementët e veçantë të ekipit, por edhe rivaliteti i ndezur në një kampioant që ai e sheh si më të bukur pikërisht për faktin se të gjithë janë në garë për diçka e nuk mund të krijojnë aleancat që e kanë shëmtuar në të kaluarën.

Starti dhe evoluimi i Partizanit – “Problemi që kishim në atë periudhë përgatitjesh në verë ishte fakti i merkatos së bllokuar. Por që vazhdon të jemi pothuajse në ato nivele se i vetmi që do ta quajmë blerje dhe ka qenë në gjithë ndeshjet pas merkatos së janarit ka qenë Çinari se edhe Murataj që ka edhe ai disa ndeshje me Partizanin nuk ka pasur vazhdimësi. Do të thotë që pothuajse ka qenë ai kontingjent që ka filluar në atë start të kampionatit, mendonim që kishim shumë punë për të bërë, pasi edhe vetë Partizani vinte nga një klasifikim jo i mirë i një viti më përpara. Kishim një raport jo të drejtë të ndarjes së lojtarëve në reparte. Por aty ku punohet, ku serioziteti e përqendrimi është në maksimum, gjërat bëhen më të lehta. Dhe kjo për meritë jo vetëm të lojtarëve, por edhe të stafit të Partizanit, pasi krijojnë kushte shumë të mira për të punuar në qetësi dhe për të realizuar atë që kërkon të realizojë stafi”.

Objektivat – “Të them të drejtën e kemi kaluar pritshmërinë se në atë fillim sezoni askush nuk e cilësonte Partizanin si favorit, por cilësonin ekipet e tjera që kishin ruajtur kontingjentin e kishin bërë merkato shumë të fuqishme. Sot jemi ndër ekipet që futemi te pretendentët për titull. Pra kemi rritur pritshmërinë duke qenë që kemi ndryshuar atë mentalitet se ky Partizan nuk mund të bëjë gjëra edhe në objektiva madhore”.

Merkato e janarit dhe Hasani – “Ne të gjithë e dimë që merkato e janarit nuk është merkato që të jep hapësirë të madhe për të bërë ndryshime sepse edhe vetë lojtarët që janë të lirë në këtë periudhë janë të limituar. Kemi bërë një merkato të kujdesshme ku kemi afruar lojtarë si Hasani që dihen cilësitë që ka. Por që sigurisht mangësia e disa muajsh aktivitet që prej mbylljes së kampionatit ku ka qenë ka bërë që të jetë një tjetër lloj ngarkese fizike nga ekipi dhe ne e ruajtëm në fakt që të mos na ndodhë ndonjë problem. Por për fatin tonë të keq e të tij, e kemi me stërvitje të diferencuar. Them se Çinari dhe Murataj janë ata dy që janë aktivizuar e kanë shtuar cilësinë në grup dhe rivalitetin. Por ajo që është kryesorja është që i gjithë grupi, që kur kemi filluar bashkë, kanë qenë ata që kanë ndryshuar fytyrën e Partizanit. Meritën kryesore e ka gjithë grupi për mentalitetin e sakrificën që kanë bërë për të marrë rezultate dhe shkuar ku jemi”.

Qëndrimi i Asanit në janar – “Ne për çdo gjë nuk marrim vendime vetëm por në staf. Unë kam peshë goxha të rëndësishme në vendimet teknike, por në fund kam një staf që punoj dhe duke qenë që drejtori qëndron afër ekipit, edhe vendimet i marrim në staf. Qëndrimi i Asanit është dëshira e të gjithëve se dihet që ka kualitete goxha të mira dhe përveç kësaj i jep bukuri lojës së Partizanit. Ai është lojtar që kampionatit shqiptar i jep një tjetër nivel se lojtarë që kanë brenda edhe spektaklin, sigurisht që pëlqehen edhe nga tifozët”.

Rivaliteti i fortë – “Kjo vjen ngaqë skuadrat nuk është se kanë diferencë të madhe qe nga ajo që kryeson me meritë, Vllaznia e deri te Skënderbeu që mbyll tabelën. Diferencat janë shumë të vogla, e kemi provuar në javën e fundit me Apoloninë ku ndoshta me ato që kemi rivalë kemi patur rezultate të mira ndërsa me Apoloninë kemi shkuar dy herë drejt barazimit. Kjo do të thotë që rivaliteti është gjatë gjithë kohës. Ka edhe anën e mirë sepse duke qenë se të gjithë janë brenda objektivave, nuk mund të krijohen aleanca dhe do të jetë e luftuar deri në fund fare. Ka edhe një anë tjetër të mirë se nëse bën një hap jo të mirë, ke mundësi të rikuperosh se përplasën ekipet me njëri-tjetrin dhe secili duke qenë se është brenda objektivit kërkon të marrë maksimumin dhe kjo shton bukurinë e kampionatit”.

Kundërshtari më i fortë – “Të them të drejtën nuk merrem me kundërshtarët, të gjithë duhen respektuar se globalizmi i mënyrës së stërvitjes sportive ka bërë që diferencat të ulen në Shqipëri por edhe në Europë. Ne fokusohemi në mënyrën e lojës tonë  dhe duam ta përmirësojmë në mënyrë që kundërshtarëve që kemi t’u lëmë sa më pak mundësi. Kundërshtari më i vështirë është i radhës për mua”.

Surpriza e kampionatit – “Surpriza më e madhe për mendimin tim është Vllaznia se Laçi ka ekip të trashëguar nga vjet dhe e ka nisur me pretendime dhe është përforcuar në merkaton e verës. Ajo që bëri që të gjithë ta respektojnë ishte Vllaznia se surprizoi të gjithë pasi në kampionatin e shkuar ishte në play-out dhe në këtë kampionat deri në këtë moment përveçse ka marrë pikët e duhur, por ka dhuruar edhe performanca goxha të mira”, tha Daja në fjalët e tij. /vipsport.al/