Cikalleshi tregon objektivin e sezonit: Luks i Rejës të zgjedhë për sulmin, Shqipëria me të voglat e ka problemin

Sokol Cikalleshi është një nga lojtarët e kombëtares më në formë, teksa në javët e fundit ka pasur vazhdimësi në të shënuar me ekipin e Superligës turke, Koniaspor. Forma pozitive e sulmuesit kavajas është një lajm shumë i mirë edhe për kombëtaren, teksa në fund të marsit luhen dy ndeshjet e para eliminatore (Andorra dhe Anglia) për Kupën e Botës 2022.

Në një prononcim për Top Channel, Cikalleshi shprehet se duke parë edhe formën e sulmuesve të tjerë të kombëtares, atëherë trajneri Edi Reja ka luks për të përzgjedhur titullarët e sulmit. Ndër të tjera, futbollisti 30-vjeçar shton se Shqipëria duhet të bëjë me kujdes me kundërshtarët më të vegjël si Andorra, pasi ato i kanë shkaktuar gjithnjë probleme kuqezinjve.

Dy ndeshjet e para- “Duhet të kemi parasysh se ne gjithmonë problemin e kem ime skuadrat që janë nën nivelin tonë, prandaj Andorra është ajo ndeshje që ne duhet ta fitojmë patjetër, dhe presioni në këtë takim është i gjithi tek ne, ndërsa në ndeshjen me Anglinë nuk do të jetë presioni 100% tek ne edhe pse ne do të bëjmë lojën tonë dhe do të japim maksimumin”.
Forma pozitive e sulmuesve të kombëtares- “E rëndësishme është që performancat tona individuale të jenë në shërbim të kombëtares kështu që mendoj se do të jetë luksi i trajnerit të zgjedhë për sulmin. Ne nuk e kemi pasur asnjëherë atë problem që po luan ky apo po luan ai, nëse do të luaj dikush tjetër në maj të sulmit do të jem unë i pari ai që do ta mbështes dhe e njëjta gjë do të ndodhi nëse do të luaj unë apo Manaj, apo Broja apo dikush tjetër”.

Situata te Koniaspor- “Kemi në fundjavë ndeshjen me Fenerbahcen që është në krye të tabelës, ndërkohë ekipi im është në mesin e tabelës por kampionati këtu me 2 humbje të con në zonën e ftohtë dhe me 2 fitore mund të kapësh Europën”.

Objektivi personal në 13 ndeshjet e mbetura të kampionatit- “Unë kam shënuar 4 gola deri më tani dhe synoj q të arrij një shifër dyshifrore golash, rreth 10 gola e më sipër, nëse arrij atje do ta konsideroja këtë sezon timin shumë të mirë”, u shpreh Cikalleshi. /VipSport.al/