Armando Sadiku, luftë kundër kohës për të shkruar emrin në historinë e futbollit shqiptar

Armando Sadiku po përgatitet për të vendosur përsëri emrin e tij në historinë e futbollit shqiptar. Sulmuesi kuqezi, pasi u bë lojtari i par i Shqipërisë që shënonte në një Kampionat Europian duek e bërë këtë në Euro 2016, tashmë kërkon të lërë gjurmën e tij si i pari që arrin të shënojë në një turne prestigjioz për klube siç është Kupa Libertadores.

Sadiku u transferua te Bolivar në Bolivi dhe pret debutimin në këtë turne në javën e ardhshme. Skuadra e tij do të udhëtojë drejt Uruguait këtë fundjavë për t’u ndeshur atje me ekipin e Montevideo Uanderers. Futbollisti shqiptar nuk do të dëshironte kurrsesi që të mungonte në këtë ndeshje historike për të, por një infeksion gastro-intestinal, ka bërë që ai të mungojë për disa ditë në stërvitje dhe të mos marrë pjesë as në ndeshjet e fundit miqësore që zhvilloi skuadra e tij këtë javë.

Në klub kanë bërë të ditur se shpresojnë që deri të shtunën, të arrijnë të kthejnë Sadikun në formë optimale. Por nëse nuk do ia dalin, ai do të qëndrojë në La Paz për të vazhduar riaftësimin, në mënyrë që të jetë gati për ndeshjen e kthimit të javës së ardhshme. Për Sadikun ky është një objektiv shumë i rëndësishëm dhe ai vetë ka deklaruar se ishte një nga arsyet pse pranoi ftesën për t’iu bashkuar ekipit të Bolivar. /vipsport.al/