Alban Hasani: Situata e Vllaznisë se nuk luan në Kategorinë e Parë. Me Kukësin nuk e mendoj barazimin

Alban Hasani, drejtuesi i akademisë së Vllaznisë, është i bindur se skuadra shkodrane do të dijë të reagojë në vijim e do të mbetet një pretendente kryesore për titullin kampion. Në studion e “Skaner” në “MCN TV”, ai e quajti normale atë situatë që po kalojnë kuqeblutë dhe kishte bindje të plotë se do të ndryshonte plotësisht që në ndeshjen me Kukësin.

“Jemi ende ekipi për t’u mundur, jemi ende në vend të parë. Ky është një ngërç që e kanë kaluar të gjithë ekipet, shpresojmë të kalojë sa më shpejt.

Në opinion flitet për krizë, por ky është trajneri më i mirë që ka ardhur në Shqipëri në vitet e fundit. Krahu i tij i djathtë është Elvis Plori. Dhe nëse Vllaznia është këtu ku është, është meritë e këtyre dy personave.

Pse kjo situatë? Sepse Vllaznia po luan në Superiore e jo në Kategori të Parë. Flasim për Teutën që ka paguar 1,5 milionë euro, për Partinin e Kukësin. Ka krizë që e kanë kaluar të tjerët e ndoshta që po zgjat më shumë se duhet në këtë moment. Por më ngroh fakti se në pjesën e dytë zhvilloi një ndeshje të mirë ndaj një ekipi të fortë dhe besoj që kthesa e madhe do të jetë me Kukësin. Shpresojmë më 9 mars të bëhet me president të ri.

Nuk mund të them që ekipi ka çeduar në stërvitje, në fushë ishte një ekip i cili në minutën e 88 i ka bërë presing Teutës. Më gëzon ky fakt dhe në ndeshjen me Kukësin nuk e parashikoj për barazim, por vetëm për fitore”, tha Alban Hasani. /vipsport.al/