Zguro: Trajneri po punon shumë në anën psikologjike, me Bylisin shkojmë vetëm për tre pikët

Skënderbeu ka një ndeshje direkte në këtë javë të Kategorisë Superiore, teksa luan ndaj Bylisit në transfertë. Mbrojtësi i korçarëve, Vangjel Zguro për RTSH Sport thekson se ndaj ballshiotëve do të futen në fushë vetëm për tre pikët, ndërsa shton se lojërat e mira së fundmi iu japin besim, edhe pse trajnerit Migen Memelli i duhet të punojë shumë në aspektin psikologjik.

“Për momentin jemi shumë keq në tabelën e klasifikimit, mirëpo lojërat e mira na japin besim dhe unë mendoj se Skënderbeu do të qëndroj në Kategori. Trajneri po mundohet shumë në anën psikologjike pasi janë të gjithë çuna të rinj dhe kjo duket nga java në javë. Çdo ndeshje edhe loja e Skënderbeut ka rritje, edhe pse pikët po na mungojnë. Të them të vërtetën na është rritur shumë besimi, duke parë lojërat e mira që kemi bërë. Si me Teutën një javë përpara në pjesën e dytë dhe lojërat e mira na japin besim”.

Ndeshja me Bylisin- “Me 100% Bylisit do t’i shkojmë vetëm për tre pikë. Është një moment delikat, por ne jemi Skënderbeu dhe do të shkojmë vetëm për tre pikë”, u shpreh Zguro. /VipSport.al/