VIDEO / Skandalet e gjykimit, vendimi i “xhaketave të zeza” në Kategorinë e Parë është për film humoristik

Gjykimi me vendime tejet absurde të gjyqtarëve mbetet një nga problemet më të mëdha të futbollit shqiptar. Një sector te i cili investohen nga FSHF rreth 1 milionë euro në vit, prodhon gafa të pafalshme për futbollin amator, por të cilat i gjen shpesh në futbollin profesionist në vendin tonë.

Të gjithë shohin javë pas jave gafat e vendime absurd në Superiore, ku gjenden elita e gjyqtarëve shqiptarë, e ndërsa zbret më poshtë, mund të admirosh edhe më të bujshme, e sigurisht edhe më qesharake, pasi shikueshmëria është më e vogël e mbulimi mediatic jo aq sa i elitës. Ndaj ndoshta gjyqtarët harrojnë kur ndeshjet përfundojnë të transmetuara në TVSH se duhet të jenë të përqendruar nga fillimi deir në fund të ndeshjes dhe u shpëton nga një gafë si ajo që ndodhi sot në ndeshjen e Kategorisë së Parë mes Partizanit B dhe Burrelit, që është sa e rëndë, edhe qesharake.

Në minutën e 35-të të ndeshjes, Balla i Partizanit po i drejtohej portës së matianëve dhe portieri Miraka doli me një fluturim të rrezikshëm për të larguar topin, duke e goditur me gjunj në kokë lojtarin që mbeti i shtrirë në tokë. Një goditje e rëndë, por që për gjyqtarin Elidon Hala ishte krejtësisht normale, edhe pse ishte e një rrezikshmërie të lartë dhe mund të kishte krijuar probleme për mesfushorin. Normalisht, në çdo vend të botës kkjo ndërhyrje do të ishte karton i kuq, por kryesori bëri shenjë që nuk kishet asgjë të tillë. Dhe ky nuk është gabimi më i madh i gjyqtarit.

Si ai, ashtu edhe vijërojtësi, “harruan” të shihnin se ku ndodhi ngjarja, më shumë se dy metra jashtë zonës, ku portieri goditi lojtarin dhe grushtoi topin me duar, para se ta largonte me këmbë në rivënie anësore. Në teori, edhe sikur të ishte ndërhyrje e rregullt, Miraka duhej të ndëshkohej pasi kishte prekur topin me dorë jashtë zones. Por si gjyqtari kryesor, ashtu edhe anësori as nuk u shqetësuan për këtë “detaj të parëndësishëm” dhe vazhduan lojën duke sinjalizuar… rivënie anësore për rifillimin e takimit. Rregulla e standarte të reja gjykimi që vetëm në Shqipëri i kuptojnë e i zbatojnë, fatkeqësisht duke kthyer shpesh në estradë ndeshjet e futbollit shqiptar. /vipsport.al/