VIDEO / Mançester Siti fiton në transfertë, kualifikimi bëhet më i thjeshtë

Mançester Siti ka fituar pa shumë probleme në “fushën” e Borusia Mynshengladbah, duke bërë një hap para drejt çerekfinaleve të Ligës së Kampioneve. Skuadra e drejtuar nga Pep Guardiola, triumfoi me shifrat 2-0 në një sfidë që e kontrolloi thuajse plotësisht, për të siguruar një rezultat që ia bën të qetë kthimin në shtëpi.

Kanselo ishte në një formë mjaft të mirë dhe me shpërthimet e tij në krah vuri ynë rrezik të vazhdueshëm prapavijën e vendasve. Ai la gjurmë në të dy golat, duke peshkuar fillimisht Bernardo Silvën për 1-0 në pjesën e pare e më pas duke nisur gjithçka për golin e dytë të shënuar nga Gabriel Zhezus, i cili i vendosi vulën këtij dueli.

Me një avantazh të dyfishtë, ekipi anglez do të jetë i qetë në duelin në shtëpi, edhe nëse ai do të zhvendoset në një fushë asnjëanëse për shkak të masve anti-COVID, siç ishte sfida e sotme e luajtur në Budapest.

Borusia Mynshengladbah-Mançester Siti 0-2
29’ Bernardo Silva, 65′ Gabriel Zhezus