VIDEO / Gola e spektakël, por Teuta dhe Kukësi e mbyllin supersfidën të pakënaqur

Teuta dhe Kukësi kanë mbyllur sfidën e parë të kësaj jave me një barazim spektakolar 2-2 mes tyre, por sigurisht të pakënaqura pas përfundimit të sfidës. Të dy skuadrat luanin për fitore për të mos lejuar rivalët direkt që t’i largoheshin më shumë në rendijte ndaj barazimi ka qenë më shumë si humbje për ta.

Më afër i shkoi fitores Teuta e cila ishte më ngulmuese, duke krijuar raste e duke iu afruar më tepër golit, të cilin e gjeti me penalltinë e Bregut. Një tjetër penallti barazoi shifrat në pjesën e dytë për Kukësin, me Eze që shënoi qetësisht nga pika e bardhë. Por pak çaste më vonë, Bregu nxori nga repertori i tij një goditje dënimi spektakolare për të kaluar përsëri përpara skuadrën durrsake.

Ndeshja dukej e mbaruar, por Kukësi u zgjua në fund, duke gjetur barazimin me Tsintsadze pas një goditje nga këndi, duke bërë që minutat përmbyllës të ndeshjes të ishin shumë të luftuar dhe ku Teutës ia mohoi golin e fitores në shtesë vetëm shtylla, pas një goditje me kokë të Vilës.

Teuta-Kukësi 2-2
34′ (p), 72′ Bregu / 70′ (p) Eze, 86′ Tsintsadze

Teuta: Frashëri, Todorovski, Hoxha, Arapi, Xhekson, Aleksi (76′ Avdyli), E. Vila, Karabeci (64′ Daja), L. Vila, Bregu, Krasniqi (68′ Gruda)
Trajner: Edi Martini

Kukësi: Xhika, Dragoshi, Lulaj, Kurdiç, Kotobelli, Demiri, Taipi (61′ Eze), Tsintsadze, Mateus Leiria (90+1′ Baravikas), Limaj (61′ Gashi), Ibraimi
Trajner: Mirel Josa

KV: Aleksi, Todorovski, Karabeci / Lulaj, Kurdiç, Ibraimi

Gjyqtar: Olsid Ferataj

MINUTË PAS MINUTE

90’+6’ Mbyllet ndeshja me barazimin 2-2.

90’+3’ Teuta i afrohet golit të fitores. Pas një harkimi në zonë, një devijim i Emiliano Vilës me kokë trondit shtyllën e Xhikës e më pas mbrojtja largon mes panikut.

90’ Jepen 5 minuta shtesë.

87’ Lorenco Vila ka menjëherë mundësinë që të kthejë përsëri në avantazh skuadrën e tij, pasi i vetëm në zonë ka mundësinë të gjuajë drejt portës, por nuk gjen katërkëndorin.

86’ GOOOL Kukësi, shënon Tsintsadze me kokë pas një goditje nga këndi të Ibraimit.

72′ GOOOL Teuta, shënon Bregu me një goditje dënimi perfekte.

70’ GOOOL Kukësi, shënon Eze me penallti.  

69’ Penallti për Kuëksin. Aleksi rrëzon Gashin në zonë dhe për gjyqtarain nuk ka dyshime.

68’ Martini freskon sulmin, duke aktivizuar Grudën në vend të Krasniqit.

67’ Aksioni i parë i gjatë në sulm i Kukësit me shumë kombinime. Gashi provon gjuajtjen nga krahu i majtë, Frashëri pret në pozicion.

61’ Josa bën lëvizjen e parë duke aktivizuar Gashin e Eze për Limajn dhe Taipin.

58’ Ibraimi harkon në shtyllën e dytë një goiditje dënimi nga e djathta. Demiri mundohet ta kthejë sferën me kokë në qendër, por ajo ka kaluar fundoren.

51’ Limaj përgjigjet me një gjuajtje të bukur fluturimthi në hyrje të zonës, Hoxha bllokon topin me trup dhe largon rrezikun.

48’ Krasniqi provon të gjejë rrjetën me një gjuajtje të forte nga jashtë zonës, sfera përfundon jashtë pa shqetësuar portën e Kukësit.

47’ Goditje dënimi e Bregut nga e majta, Xhika largon sferën me vështirësi mes sulmuesve të Teutës.

46’ Nis pjesa e dytë pa zëvendësime në radhët e dy ekipeve.

45’+2’ Mbyllet pjesa e parë me avantazhin e Teutës.

45’ Jepet 1 minutë shtesë.

43’ Leiria provon nga e majta të gjejë golin me një goditje nga jashtë zonës, topi devijohet dhe përfundon direkt në duart e Frashërit.

34’ GOOOL Teuta, shënon Bregu me penallti.

33’ Penallti për Teutën që kontestohet nga vetë durrsakët. Bregu rrëzohet në zonë pas një kontakti me Dragoshin, gjyqtari vërshëllen për penallti ndërsa Karabeci po gjuante topin i cili ndalet në rrjetë. Lojtarët e Teutës kërkojnë të akordohet goli, por gjyqtarai insiston që duhet goditur nga pika e bardhë.

31’ Leiria dhuron shkëndijën e parë për Kukësin. Braziliani driblon dy lojtarë dhe futet në zonë, por Frashëri i zë rrezen e portëm e daljen e tij dhe devijon topin në këndore.

23’ Harkimi i Bregut nga këndi largohet nga mbrojtja por sfera shkon te Karabeci i cili gjuan nga jashtë zones. Xhika bën gjithçka mirë duke grushtuar sferën jashtë. 22’ Bregu përsëri në të majtën gjen mudnësinë t’i shmanget Dragoshit, Gjuajtja e tij devijohet në goditje nga këndi nga Lulaj.

13’ Vazhdon të jetë më kërkuese Teuta në këto minuta të parë. Një harkim i E. Vilës nuk largohet nga Lulaj dhe i jep mundësinë Bregut të gjuajë brenda zonës, pa arritur të shënjestrojë katërkëndorin e Xhikës.

8’ Durrsakët ekzekutojnë me shpejtësi një goditje nga këndi, topi harkohet në zonë për Arapin i cili gjuan me të majtën, por nuk ka shënjestrën e duhur për të drejtuar sferën në kuadrat.

6’ Bregu ekzekuton një goditje dënimi nga e majta e sulmit direkt e në zonën e vogël, Xhika grushton duke larguar rrezikun para se të fitojë një faull pas përplasjes me një prej lojtarëve durrsakë.  

1’ Nis ndeshja në Durrës.