VIDEO/ Fitorja e 20 radhazi vjen nga dy mbrojtësit, Siti i Guardiolës nuk njeh rivalë

Mançester Siti nuk di të ndalet dhe në ditën e sotme ka marrë fitoren e 20 radhazi. Një record ky i qytetarëve që vazhdon të zgjerohet, ndërsa në takimin e orës 13:30 në Premier League, mposhtën me rezultatin 2-1, Uest Hem.

Në fakt, të besuarit e trajnerit Pep Guardiola vuajtën pak më shumë se në ndeshjet e tjera, megjithatë në fund dolën triumfues falë dy golave që erdhën nga reparti difensiv. Kështu, klubi nga Mançesteri kaloi i pari në avantazh me anë të Ruben Dias në minutën e 30, megjithatë miqtë do të reagonin dhe dy minuta para fundit të pjesës së parë do të gjenin barazimin me anë të Valencias.

Gjithsesi, në pjesën e dytë, Siti ishte i vendosur për të marrë fitoren e radhës dhe në të 68-tën, Xhon Stons kaloi të tijtë në avantazh. Një gol që rezultoi vendimtar dhe pas këtyre tre pikëve, qytetarët vazhdojnë të qetë rrugën drejt titullit teksa janë në vend të parë me 66 pikë, ndërsa Uest Hem mbetet në vendin e katërt me 45 pikë. /VipSport.al/