VIDEO / Fair Play në Ligën e Europës. Kundërshtari dëmtohet vetë, “i keqi” i Rejnxhërs ndal sulmin

Alfredo Morelos është një lojtar i cili në vitet e fundit ka shkaktuar jo pak polemika në Skoci me sjelljet e tij. Futbollisti kolumbian, kombinon golat e shumtë me sjelljet antisportive, ofendimet e goditjet ndaj kundërshtarëve, duke koleksionuar një numër të pazakontë kartonësh të kuq për një sulmues. Por sot, në Ligën e Europës, ai ka shlyer pak nga gabimet e tij me një gjest të mirëfilltë Fair Play.

Në ndeshjen ndaj Antverpës, kur rezultati ishte ende 1-1, Morelos ishte protagonist i një sulmi në krahun e djathtë kur pa kundërshtarin e tij të bënte me shenjë dhe më pas të shtrihej në tokë për shkak të një problemi muskulor. Morelos mund të vazhdonte aksionin, pasi mbrojtësi u shtri jashtë vijave të fushës, por ai preferoi të ndalte lojën.

Një gjest që është duartrokitur në ato çaste edhe nga gjyqtari i ndeshjes, e më pas në rrjetet sociale edhe nga tifozët e shumtë të cilët si rrallëherë kanë vlerësuar një gjest Fair Play të futbollistit kolumbian. /vipsport.al/