VIDEO / Espanjol u tregon tifozëve “Pitbullin” Bare: Të gjithë shqiptarët hanë fasule, vetëm unë jo

Keidi Bare është kthyer në një kohë të shkurtër në një nga emrat më të dashur për tifozerinë e skuadrës së Espanjoi, që ka pëlqyer grintën e futbollistit shqiptar, atë që jep në fushën e lojës duke mos u tërhequr kurrë në dylyftime, e padyshim aftësitë e tij teknike. Nuk është rastësi që shpesh tifozët e kanë zgjedhur më të mirin në periudha të caktuara gjatë vitit dhe tashmë Bare ëshë kthyer në një të paprekshëm në formacionin e skuadrës katalanase.

Ndaj vetë Espanjol ka zgjedhur që t’i prezantojë më mirë futbollistin tifozëve të vet, duke i bërë disa pyetje për të shuar kuriozitetin rreth tij, pyetje të cilave Bare u është përgjigjur me shumë sinqeritet por edhe me humor.

Gjithçka nis me nofkën “Pitbull” që i kanë vënë futbollistit. “Më pëlqen që më thërrasin kështu. Nuk e di pse ma kanë vënë këtë nofkë, për mënyrën se si jam, për mënyrën se si vrapoj, nuk e di të them të drejtën”, pranoi duke qeshur mesfushori.

Më pas ai u pyet për Shqipërinë dhe këtu përgjigja e tij ishte shumë e veçantë. “Është një vend shumë bujar dhe më pëlqen ushqimi. Të gjithë atje hanë fasule. Hanë fasule, por unë jam i vetmi shqiptar që nuk i ha, imagjinojeni pak…”, tha duke qeshur Bare.

“Po, është një vend shumë i dhënë pas futbollit, sidomos kur luan kombëtarja”, pohoi më pas ai ndër të tjera në këtë intervistë ku tregoi disa gjëra për veten e tij, duke zbuluar për shembull se kishte realiuzuar ëndrrën që kishte pasur për të njohur një të famshëm, pasi kishte qenë në një skuadër me idhullin e tij  Fernando Torres. /vipsport.al/