VIDEO / Arsenali dhe Çelsi i bëjnë nder Mançester Sitit, frenojnë Leisterin dhe Mançester Junajtid

Lufta për titullin kampion në Premier Ligë këtë vit duket se do të mbyllet përsëri shumë shpejt, pasi Mançester Siti po krijon një diferencë të thellë nga rivalët që e ndjekin dhe duket i pakapshëm. Për të ndërtuar këtë diferencë e cila për momentin është 12 pikë nga vendi i dytë e 13 nga vendi i tretë, nuk ka kontribuuar vetëm seria e gjatë e fitoreve radhazi të skuadrës së Guardiolës, por edhe ndalesat e herëpashershme të rivalëve kryesorë.

Leisteri është mundur sot në shtëpi nga Arsenali me shifrat 3-1, duke mbetur 13 pikë larg Sitit në klasifikim. Ekipi i Brendan Roxhers kaloi në avantazh me Tielemans që në minutën e 6 të ndeshjes dhe dukej se do të bënte të vetat tre pikët në duel. Por David Luiz barazoi shifrat para fundit të pjesës së parë, ndërsa në shtesën e këtij fraksioni lojë, Lakazet shënoi golin e 2-1 me penallti. Pepe në pjesën e dytë i vuri vulën tri pikëve që ndihmojnë Arsenalin të mbajë gjallë shpresat për një vend në Europë në edicionin e ardhshëm.

Ndërkohë, Mançester Junajtid ka frenuar në një barazim pa gola përballë Çelsit, duke mos arritur që të fitojë një tjetër ndeshje ndaj një rivali në kampionat. Në 7 ndeshje të luajtura ndaj 6 ekipeve të mëdha në kampionat, Mançester Junajtid nuk ka fituar asnjë prej tyre, duke marrë vetëm 5 pikë në total, që kanë kontribuar që kjo skuadër të mbetet në vendin e dytë me 12 pikë diferencë nga rivalët e përhershëm. /vipsport.al/