Tre medalje në këtë vit, kampioni Smajlaj ende pa shpërblim: Shpresoj ta marr, më pret një javë e fortë

Izmir Smajlaj mund të konsiderohet pa frikë si një nga ata sportistë që bëjnë krenar Shqipërinë, teksa së fundmi atleti i kërcimit së gjati u kthye me medalje të artë nga Serbia. Megjithatë, Smajlaj edhe pse mban gjithnjë lart flamurin kuqezi, ende nuk është shpërblyer për triumfet e tij, teksa në një intervistë për Top Channel, thekson se shpreson t’i marrë.

Ndër të tjera, Smajlaj sqaron se e pret një javë e fortë, pasi do të provojë të kualifikohet në finale dhe më pas të marrë medalje në kampionatin Europian që zhvillohet në Poloni.

“Me garat jam shumë i kënaqur, sidomos me rezultatin 7.91, është një rezultat që sidomos në garat europiane je në finale. Është hera e katërt që fitoi Ballkaniadën dhe hera e dytë që fitoj në mitingun e Serbisë”.

Shpërblimet? “Mitingjet nuk kanë shpërblim sepse janë gara private dhe paguan vendi organizativ. Por, ballkaniada është bërë me shpërblim dhe e ka miratuar kryemisnistri në 2020 në korrik, por nuk ka kaluar me VKM dhe unë shpresoj ta marr shpërblimin. Më pret një javë e fortë, më datë katër kam kualifikimin për finale dhe më datë pesë është finalja për Europian. Shpresoj ta nis mbarë dhe të futem në finale, më pas në finale mund të dalë në vend të parë, mund të dalë në vend të dytë, vend të katërt, por gjithnjë shpresoj për medalje”, u shpreh Smajlaj. /VipSport.al/