Transferim dy vite me vonesë? Në Francë shohin Ikardin te Juventusi

Shpërthimi i Moise Kin me fanellën e PSG dhe fakti se ai kombinon shumë më mire me Mbape e Nejmar, mund të shtyjnë PSG-në që në këtë verë të sakrifikojë një nga emrat e mëdhenj të sulmit të parisienëve, Mauro Ikardin. Argjentinasi e nisi mirë aventurën e tij në Paris, por pak nga pak paraqitjet janë zbehur dhe ai ka kaluar në plan të dytë atje.

Tani, mediat franceze e shohin atë si një prej emrave më të mundshëm për t’u larguar nga PSG, për të kaluar te një klub i cili e kërkonte dy vite më parë, por që u pengua nga Interi për të realizuar transferimin. Juventusi ndiqte lojtarin argjentinas në vitet kur ai ishte kapiteni i zikaltërve dhe Interi bëri të pamundurën që të mos lejonte kalimin e Ikardit në Torino te rivalët historikë. Gjithçka mund të konkretizohet dy vite me vonesë, pasi “L’Equipe” është e bindur se ka një plan për të kthyer sulmuesin në Itali, ku Juventusi mbetet skuadra e preferuar e tij.

Për Ikardin do të ishte një hakmarrje e mirëfilltë, ndërsa për Juventusin do të ishte afrimi i një tjetër futbollisti me shumë talent në repartin e avancuar, një lojtar që njeh kampionatin e që do të bënte të ndjehej më pak mungesa e Ronaldos nëse portugezi vendos të largohet gjatë verës. /vipsport.al/