Trajneri i Legias: Muçit ia kemi ndryshuar mbiemrin në Mesi. Ka karakteristikat e yjeve të futbollit botëror

Ernest Muçi ka të gjitha karakteristikat që duhen për t’u bërë një yll i futbollit botëror. Për këtë është i bindur trajneri i Legia Varshavës, Czesłav Mishnievicz, i cili para mediave sot ka shpjeguar se çfarë sheh te sulmuesi shqiptar që e kërkoi me ngulm derisa siguroi firmën e tij për klubin polak.

Tekniku shpjegoi para gazetarëve se Muçi ishte një futbollist i cili mund të përdorej në role të ndryshme në ofensivë, ndërsa kishte disa veçori të cilat e kishin çuar atë ta krahasonte me Mesin.

“Ai mund të luajë si një 10, por gjithashtu si një 9 krijues që kthehet deri në linjën e dytë, duke ruajtur të gjitha karakteristikat. Mbiemri i Ernestit është Muçi, por ne ia kemi ndryshuar në Mesi. Kjo pasi kujton shumë nga karakteristikat e yjeve të futbollit botëror: liri në kontrollin e topit, krijimtari dhe inteligjencë në fushën e lojës. Duhet të kujtoni se ishte vetëm një miqësore dhe pak stërvitje. Do të ketë kohë për vlerësim.

Uroj që të gjithë të rinjtë të zhvillohen në klub sa më shpejt të jetë e mundur dhe të tregojnë potencialin e tyre. Një lojtar përshtatet më shpejt, një tjetër kërkon kohë, ndërsa ka që nuk gjejnë dot vetveten. Kështu është në të gjithë botën, ne do të krijojmë kushtet e përshtatshme për këta lojtarë që të zhvillohen. Por edhe ata vetë duhet të luftojnë për vendin e tyre në skuadër”, tha trajneri i Legias se Varshavës duke bërë të qartë se përtej vlerësimit, edhe Muçi do të duhej që të luftonte shumë për të fituar një vend në radhët e skuadrës. /vipsport.al/