Surpriza e merkatos së Partizanit mbetet jashtë listës së Kombëtares për Lojërat Olimpike

Merkato e Partizanit në muajin janar është fokusuar sidomos te afrimet e Stenio Zhunior, Ferhan Hasanit dhe dyshes Murataj-Mëllugja nga Bylisi. Por surpriza e vërtetë e merkatos ishte afrimi i një mbrojtësi nga Salvadori i largët, Roberto Domínguez, me një marrëveshje që u finalizua pikërisht në mbyllje të merkatos.

Mbrojtësi pritet ende të japë kontributin e tij në radhët e klubit të kuq, por e ka nisur këtë eksperiencë me shumë entuziazëm, edhe pse e dinte se mund të sakrifikonte diçka të rëndësishme si pjesëmarrja në ekipin kombëtar. Dominguez është pjesë e përfaqësueses së Salvadorit, si asaj A, ashtu edhe të ekipit U23 që merr pjesë në kualifikueset e Lojërave Olimpike për zonën e Amerikës së Veriut.

Para udhëtimit drejt Shqipërisë, ai ishte parashikuar që të bashkohej me këtë ekip në mars e të jepte kontributin e tij në tre ndeshjet kualifikuese për pjesëmarrjen në aktivitet. Por trajneri i kësaj përfaqësueseje ka publkuar sot listën dhe emri i tij ishte jashtë saj. Vendimi ishte marrë për shkak se udhëtimi nga Euroipa është shumë i komplikuar në mes të pandemisë dhe futbollisti do të detyrohej të bënte ndalesa të gjata, pa harruar këtu edhe karantinimin e detyruar.

Ndaj është preferuar që Dominguez të mos udhëtojë për këto sfida. Për momentin, nuk dihet ende nëse ai do të jetë në dispozicion të Kombëtares A për sfidat e saj në kualifikueset e Botërorit 2022. /vipsport.al/