Superiore U21/ Tirana përmbys Kukësin, fiton Teuta dhe Kastrioti

Janë luajtur ditën e sotme tre ndeshje të Kategorisë Superiore për U21. Bie në sy triumfi i Tiranës ndaj Kukësit me rezultatin 2-1. Në fakt, bardheblutë e gjetën veten në disavantazh në minutën e 15, teksa Rasha shënoi për të tijtë. Megjithatë, bardheblutë ditën të reagonin dhe për pesë minuta përmbysën rezultatin falë dopietës së Beshiraj, i cili shënoi në minutat 31 dhe 36.

Në pjesën e mbetur të takimit, shifrat nuk ndryshuan dhe kryeqytetasit menaxhuan fitoren. Pas këtij trepikëshi, Tirana ngjitet në vendin e shtatë të klasifikimit me 17 pikë, ndërsa Kukësi mbetet në vendin e katërt me 23 pikë. Sakaq, edhe Teuta ka fituar me rezultatin 1-2 teksa mposhti ekipin e Football Republic.

Për durrsakët shënoi dy gola sulmuesi i talentuar Kapllani, respektivisht në minutat 2 dhe 20. Ndërkohë, për Football Republic golin e shënoi Skura në minutën e 80, por pa mundur të ndryshojë fatet e takimit. Pas kësaj fitoreje, Teuta është në vendin e gjashtë me 16 pikë, ndërsa Footboll Republic mbetet e parafundit me vetëm tre pikë të grumbulluara.

Ndërkohë, Kastrioti nuk e ka pasur të vështirë ndaj Shënkollit duke fituar me rezultatin 5-1. Autorët e golave për krutanët ishin Basha, Xhepa, Daci, Zhivanaj dhe autogoli i Ndoi, ndërsa për Shënkollin realizoi Idrizi. Kështu, Kastrioti mban vendin e 10 me 14 pikë, ndërsa Shënkolli është një vend më poshtë me shtatë pikë. /VipSport.al/

Ndeshjet:

Tirana-Kukësi 2-1

Football Republic-Teuta 1-2

Kastrioti-Shënkolli 5-1