Superiore/ Klasike me aromë titulli për Vllazninë, Laçi sfidon Partizanin në transfertë

Katër ndeshjet e sotme të Kategorisë Superiore dhurojnë shumë konkurrencë, teksa ajo që spikat është klasikja mes Vllaznisë dhe Tiranës. Kuqeblutë, pas ngecën në transfertë ndaj Skënderbeut, do të kërkojnë të rikthehen te triumfi, për të vazhduar të pashqetësuar rrugën drejt titullit. Kjo pasi një rezultat tjetër veç fitores, mund të bëjë që rivalët të afrohen edhe më shumë.

Nga ana tjetër, Tirana vjen pas dy humvjeve radhazi, teksa bardheblutë tashmë duket se do të provojnë kualifikimin në Kupat e Europës, edhe pse janë larg. Ndërkohë, një tjetër ndeshje me shumë rivalitet pritet të jetë ajo mes Laçit dhe Partizanit. Të dyja skuadrat kanë një formë të mirë dhe kërkojnë të luftojnë për titullin kampion, megjithatë pas këtij takimi mund të ketë një vizion më të qartë se cila do të vazhdojë të konkurrojë nga afër Vllazninë, gjithnjë nëse ndeshja nuk përfundon në barazim.

Sakaq, një duel i rëndësishëm është edhe ai mes Bylisit dhe Skënderbeut. Dy skuadrat e përfshira në garën për mbijetesë kanë para një 90 minutësh që mund të vendosë shumë për të ardhmen e tyre në elitë. Ndërkaq, Kastrioti do të presë në Kamëz, Apoloninë. Pas dy humbjeve radhazi, krutanët kanë detyrën për të rigjetur fitoren, ndërsa fierakët janë në vendin e parafundit dhe luftojnë të sigurojnë mbijetesën. /VipSport al/

Ndeshjet:

13:00 Vllaznia-Tirana

13:00 Kastrioti-Apolonia

13:00 Bylis-Skënderbeu

16:00 Partizani-Laçi