Sulmuesi Kumanaku për “Vipsport”: Labëria i ka të gjitha finale, ja sekretet e Kategorisë së Dytë

Grupi B i Kategorisë së Dytë ka shumë rivalitet, sepse janë ekipe me emër që në gjirin e tyre kanë lojtarë shumë cilësorë. Por, surpriza është Labëria, ekipi vlonjat që do të kërkojë që të ngjitet direkt në të Parën dhe për të realizuar synimin që ka, skuadra vlonjate që ka edhe aneksin, por tashmë edhe një fushë moderene ku luan ndeshjet e shëtpisë, ka bërë disa përforcime, por ajo që është kryesorja ka ruajtur grupin me lojtarët kryesorë që luajtën në pjesën e parë të garës. Një nga lojtarët e spikatur është edhe Kejsion Kumanaku, sulmuesi nga Fieri që ka realizuar 5 gola në pjesën e parë të garës në Kategorinë e Dytë. 22-vjeçari që është kërkuar nga shumë ekipe të së Parës sonë, apo dhe në Kosovë kërkon që të lërë gjurmë dhe të jetë në histori me ekipin vlonjat. “Rivaliteti është i madh, ne duhet që të kapim kreun dhe ta mbajmë atë. Në një grup me shumë ekipe me eksperiencë, ne duam që të tregojmë vlerat tona”, – tha fillimisht sulmuesi i Labërisë, kejsion Kumanaku.

Ndeshja e radhës

Labëria këtë fundjavë do të luajë një ndeshje delikate me skuadrën e Skraparit në transfertë. Sipas Kumanakut, që është sulmuesi kryesor në skuadrën e Kategorisë së Dytë: “Të gjitha ndeshjet janë si finale dhe është akoma më e vështirë kjo pjesë e dytë, sidomos për një ekip me pretendime. Unë kam besim se me ritmin që kemi dhe me afrimet që janë bërë, skuadra jonë do ta bëj realitet synimin që ka për t’u ngjitur në Kategorinë e Parë. Ne luajmë futboll të bukur dhe bashkëkohor, kurse ekipet na mblidhen, na luajnë ashpër, e madje shpesh mbrohen me 11-të lojtarë. Në Skrapar ne do të luajmë vetëm për fitore dhe kjo as që nuk ka diskutim”.

Rivaliteti

I pyetur Kumanaku, se si i sheh rivalët, që kanë bërë afrime cilësorë në merkato, duke filluar që nga Butrinti, Devolli, apo dhe Maliqi, sulmuesi që ka dal nga moshat e Apolonisë dhe që është një lojtar mjaft premtues, ka shtuar se: “Ne shohim punën tonë dhe bëjmë llogarinë e ndeshjeve që luajmë ne. Periudha e fillimit të garës ishte pak e vështirë për ne, por besoj se do ta nisim aty ku e lamë, kur kishim ritëm dhe po mernim fitore radhazi. Gara do të jetë e fortë, sepse siç dihet Grupi i Jugut, ka ekipe me emër dhe konkurrenca si rrjedhojë është më e madhe”.

E.Saliu/Vipsport.al/