Serxhio Ramos-Real Madrid, tani në Spanjë shohin më afër rinovimin e kapitenit

Lamtumira e Serxhio Ramos nga radhët e Real Madrid deri pak javë më parë dukej e sigurt. Por tani në Spanjë nuk janë edhe aq të sigurt, ndonëse palët nuk janë kthyer më në tavolinën e bisedimeve që herën e fundit kur futbollisti refuzoi propozimin e klubit.

Reali i kishte propozuar atij një kontratë me pagesë të reduktuar ndjeshëm në krahasim me atë aktualen, duke llogaritur se pandemia kishte bërë të vetën dhe nuk mund të shpenzonte më shifra të tilla. Ide e cila u refuzua nga Ramos, i cili është i ndërgjegjshëm që Reali po mbledh para për të blerë Haland apo Mbape në verë.

Por sipas “Marca”, një takim informal mes Florentino Perez dhe kapitenit gjatë ditëve të kaluara, ka kthyer përsëri buzëqeshjen mes palëve. Ndonëse nuk është folur direkt për rinovimin, duket se takimi ka shërbyer për të shkrirë akullin mes palëve e për të kthyer edhe një here një klimë pozitive.

Pritet që takimi i vërtetë të bëhet në javët në vijim, pasi Ramos të kthehet në fushën e lojës kur të ketë kaluar plotësisht dëmtimin që po vuan aktualisht. Klubi e di që ai nuk ka pranuar ende asnjë ofertë nga ato që i kanë mbërritur dhe kërkon të shfrytëzojë këtë situatë për t’i bërë një propozim tjetër. Por për të dy palët është e rëndësishme që të mësojnë edhe si do të jetë situata ekonomike e klubit dhe plani për të kthyer tifozët në stadiume, që ka goditur në mënyrë të rëndë financat e madrilenëve që regjistrojnë dhjetra miliona euro humbje vetëm nga tribunat e boshatisura. /vipsport.al/