Selmani protagonist në Turqi, portieri i kombëtares i fal një pikë skuadrës së tij

Gentian Selmani është bërë protagonist në ndeshjen e sotme që ekipi i tij, Boluspor luajti në shtëpi ndaj Balikesirspor. Ndeshja e Ligës së Parë turke përfundoi me rezultatin 0-0, mirëpo për Bolusporin gjërat mund të kishin shkuar edhe më keq, në rast se nuk do të ishte për ndërhyrjen e gardianit të kombëtares.

Në minutën e 16, Selmani mori të gjithë vëmendjen teksa nga pika e bardhë ia doli të neutralizonte goditjen e futbollistit kroat, Antonio Mërsiç. Në këtë formë, rezultati mbeti në shifrat 0-0 dhe deri në fund ekipet nuk gjetën golin dhe ndanë kështu nga një pikë.

Pas kësaj ndeshje, ekipi i Selmanit, Boluspor, është në vendin e 14 të renditjes me 23 pikë, ndërsa Balikesirspor gjendet një pozicion më lart, me një pikë më shumë. Kujtojmë se Selmani u transferua te Boluspor në merkaton e janarit nga ekipi i Menemenspor, ndërsa kjo e sotmja ishte vetëm ndeshja e pestë e ish-portierit të Laçit me fanellën e re. /VipSport.al./