Rinovim “me detyrim” i Mançester Junajtid me Kavanin, përndryshe do ta paguajë shtrenjtë

Edinson Kavani shpresonte që largimi nga PSG  dhe transferimi te Mançester Junajtid ta ndihmonin të kthehej përsëri protagonist kryesor në një klub të madh europian. Gjërat nuk kanë shkuar plotësisht siç shpresonte sulmuesi uruguaian, i cili edhe pse është aktivizuar rregullisht, nuk ka pasur atë vazhdimësi para portës ssiç shpresonte me vetëm 6 gola në 17 ndeshje të luajtura në Premier ligë.  

Për më tepër, një dëmtim i pësuar kohët e fundit mund ta lërë atë jashtë fushave të lojës për një periudhë të gjatë. Kjo ka bllokuar disi edhe negociatat për vazhdimin e kontratës me lojtarin dhe të ardhmen e tij me “djajtë e kuq”. Boka Juniors ka kërkuar informacion për futbollistin, por ai do të dëshironte të vazhdonte në klubin anglez, ku në kontratën e tij ka vendosur një klauzolë që e ndihmon vazhdimësinë në “Old Traford”.

Sipas ESPN, Kavani ka vendosur në marrëveshjen me Mançester Junajtid një klauzolë të veçantë kur vendosi të firmoste si lojtar i lirë me këtë klub. Nëse Mançester Junajtid nuk rinovon për vitin e dytë marrëveshjen, është i detyruar që t’i paguajë atij një dëmshpërblim prej 2 milionë eurosh. /vipsport.al/