“Ringjallja” e Arlind Ajetit, mbrojtësi kuqezi ka gjetur përsëri veten në Serinë B

Pas përfundimit të Euro 2016, të gjithë ishin të bindur: Arlind Ajeti do të ishte shtylla e prapavijës së kombëtares shqiptare të futbollit për dekadën në vijim. Transferimi në radhët e Torinos u pa si hapi i madh dhe i duhur që karriera e tij ta bënte protagonist me klube të njohura ashtu siç kishte qenë me fanellën kuqezi.

Por që pas atyre paraqitjeve, për Ajetin filloi një përiudhë e errët mes gabimesh, shumë pankine e tribune, si dhe dritëhijeve që vazhduan edhe te Krotone e sidomos te Grasshoper, ku ai u zhduk një vit pa shkelur në fushat e lojës. Mbrojtësi i cili ishte vlerësuar edhe ne raportin teknik të UEFA-s për Europianin, u zhduk pa lënë gjurmë për thuajse një vit, me shumëkënd që mendoi se ai do të mbyllte para kohe karrierën.

Ajeti u rishfaq te Vejle në Danimarkë, duke u rreshtuar përkrah Ramadanit e Muçollit për disa muaj, teksa gjeti përsëri formën fizike që kishte humbur gjatë “vitit të brishtë”. Në verë, erdhi kthimi i tij në Itali, aty ku pranoi menjëherë ofertën që i bëri Rexhiana, duke e cilësuar si shansin e fundit për të thënë fjalën e tij në futbollin e rëndësishëm. Pas disa luhatjeve në start, tani ai është kthyer në një nga garancitë e prapavijës së kësaj skuadre e cila për momentin po ecën e qetë në mesin e renditjes duke ndalur disa emra që kanë pretendime për të shkuar më lart, më e fundit Salernitana, sulmuesit e të cilës sot nuk arritën të kalonin Ajeti & Co. për të synuar kreun gjatë barazimit 0-0.

Për mbrojtësin shqiptar kanë filluar tashmë edhe vlerësimet për paraqitjen e tij dhe duket se pak nga pak po kthehet Ajeti i “vjetër”, ai që çuditi të gjithë në rrugëtimin historik të Euro 2016. Nëse vazhdon me këto ritme, nuk është aspak çudi që së shpejti, emri i tij të gjendet përsëri në listat e përfaqësues shqiptare të futbollit, për të tentuar të rifitojë një vend që deri katër vite më parë dukej i tiji për dekadën në vazhdim. /vipsport.al/