Panuçi: Unë, i preferuari i Kapelos se isha i vërtetë. Më mirë të mos flas për Kasanon

Kristian Panuçi e cilëson veten njeri të vertëtë e kjo ishte arsyeja se pse një trajner si Fabio Kapelo e kishte kërkuar në të gjitha skuadrat ku kishet drejtuar. Në një intervistë për “Radio Due”, ish-trajneri i Shqipërisë, i cili nuk ka lënë një imazh edhe aq të mire në vendin tonë si në aspektin sportiv, ashtu edhe njerëzor, ka deklaruar se pikërisht kjo pjesë e karakterit të tij e bëri atë një emër të preferuar nga tekniku i mirënjohur italian.

“Unë kam qenë i preferuari i tij, më kërkonte në çdo skuadër. Më mori me vete kudo. Por se kam qenë një person i vërtetë, ashtu siç ishte edhe ai. Nuk i pëlqenin rrufianët. Unë dhe ai kemi pasur disa përplasje, por gjithmonë shumë të ndershme. Ka ekzistuar gjithmonë një raport i veçantë, por është një person që nuk të dhuron asgjë”, u shpreh Panuçi për Kapelon dhe eksperiencën e tij përkrah Kapelos.

Ndërkohë, një person për të cilin nuk ka shumë vlerësim është Antonio Kasano. I pyetur rreth raportit me të, Panuçi ka preferuar që të mos hapë polemika, duke e ditur se barezi mund të kundërpërgjigjet me të vertetat e sikletshme, siç e ka zakon. “Preferoj të mos shpenzoj fjalë për të, do të ishte një bisedë shumë e gjatë”, tha Panuçi duke evituar si rrallëherë polemikat. /vipsport.al/