Pak ditë stërvitje mjaftuan, Muçi debuton në fitoren e Legias në kampionat

Ernest Muçi ka provuar mbrëmë për herë të parë kampionatin polak të futbollit, pasi ka debutuar në ndeshjet zyrtare me ekipin e Legias, të cilit iu bashkua vetëm pak ditë më parë. Sulmuesi bardheblu ishte zëvendësues në fitoren e rëndësishme 2-1 ndaj Gornik që mban Legian në vendin e parë në renditjen e kampionatit.

Edhe pse Muçi kishte më pak se një javë të Legia dhe kishte zhvilluar pak stërvitje me këtë skuadër, trajneri tregoi se i beson formës dhe aftësive të sulmuesit, pasi e hodhi në fushën e lojës në fillimin e pjesës së dytë të ndeshjes kur rezultati ishte 1-1.

Muçi u bë menjëherë protagonist i disa aksioneve të rrezikshme për skuadrën e tij që kërkoi me ngulm golin të cilin e gjeti me Kastroz në minutën e 82-të, duke siguruar këto tre pikë. Kjo ishte një paraqitje e parë për sulmuesin e ri, i cili pritet të ketë një rol protagonisti te Legia, që kërkonte një futbollist me aftësi të mira finalizuese, por edhe teknike, si ato të lojtarit shqiptar për të cilin trajneri i kësaj skuadre ka thurur elozhe sa herë që ka folur para mediave. /vipsport.al/