Një ish nga Tirana dhe një nga Vllaznia: Me stadiumet hapur do të ishin mbi 20 mijë tifozë, ekipet futen me frikë

Një pjesë të madhe të vëmendjes së Kategorisë Superiore në ditën e sotme, do ta marrë klasikja mes Vllaznisë dhe Tiranës. Shkodranët luftojnë për titull, ndërsa nga ana tjetër, kryeqytetasit që janë edhe kampionët në fuqi duket se janë tërësisht jashtë objektivave.

Megjithatë, sfida tërheq shumë sy, ndërsa një ish i Vllaznisë si Alban Hasani thekson për Sport Magazine se nëse stadiumet do të ishin të hapura atëherë, në impiant do të ishin mbi 20 mijë tifozë. Ndërkaq, pjesë e të njëjtës rubrikë ishte edhe një ish nga Tirana, si Sokol Bulku. Ky i fundit u shpreh se ekipet do të futen në fushë me frikë pasi është një ndeshje delikate.

Hasani “Këto dy ditë është e vështirë të hapësh telefonin, sepse njerëzit kanë dëshirë të vijnë të shohin ndeshjen në stadium, që është krejtësisht e pamundur. Nëse do të ishin stadiumet hapur, do të kishte mbi 20 mijë vetë në stadium ndeshjen e nesërme.
Tirana është Tiranë. Ka lojtarë të mirë. Nuk e bën një ekip as Muçi, as ndonjë lojtar tjetër. Është një fanellë e rëndë. Por sidomos kur luhet klasikja shqiptare, nuk ka rëndësi se kush luan, mund të jenë edhe lojtarët e U19-s, por është një derbi i Shqipërisë. Nëse duam të jemi për titull kampion dhe minimalisht për Kupat e Europës, duhet ta fitojmë.
Vllaznia ka bërë merkaton më të mirë në muajin janar. Janë lojtarë që të gjithë kanë luajtur 90 minuta në kampionatet e tyre dhe janë jashtëzakonisht të mirë. Avdijaj është një lojtar që e ka trajneri, sepse e ka pasur te Volfsburg dhe i njeh vlerat e tij. Është një vlerë e shtuar. Ka ardhur me një kosto të ulët financiare. Ka një kontratë 6 mujore, ku do të rishikohet nga klubi në bazë të rendimentit që do të japë me Vllazninë. Është një bast i trajnerit Brdariç, që besoj do ta fitojë, sepse është një djalë shumë punëtor dhe me një CV të pasur.
Vllaznia i druhet vetëm ekipit të vetë. Nuk jam dakort që është treni i fundit. Treni i fundit mund të jetë për Tiranën, sepse po humbi rrezikon rënien nga kategoria, ndërsa Vllaznia minimalisht Kupat e Europës. Vllaznia është një ekip që luan gjithnjë pastër, nuk favorizohet nga arbitrat, nuk merr asnjë fitore me mënyrë të pistë, por është një ekip me lojtarë të rinj që luajnë futboll të bukur”.

Bulku- “Të dyja do të futen me frikë, sepse kanë shansin e fundit. Edhe Vllaznia, nëse dështon këtë ndeshje i afrohen më shumë kundërshtarët që ka pas. Tirana nëse nuk fiton do largohet akoma më shumë. Kështu që është një ndeshje delikate. Për Tiranën është shansi i fundit, sepse vështirësohet kampionati. Ulet numri i ndeshjeve dhe kundërshtarët bëhen më agresivë”. /VipSport.al/