Ndryshim historik në Itali, arbitrave u “hapet goja”. Tani mund të flasin në TV

A duhet apo jo që gjyqtarët e futbollit të komentojnë pas ndeshjeve vendimet që kanë marrë? Ky është një diskutim që ka nisur shumë vite më pare në thuajse çdo vend të botës dhe ka diskutime të vazhdueshme rreth kësaj teme. UEFA dhe FIFA kanë preferuar heshtjen dhe kanë sugjeruar anëtarët që ta bëjnë edhe ata një gjë të tillë, një mënyrë efikase për të fshehur gabimet e “xhaketave të zeza”. Por pak nga pak, kampionatet kryesore në Europë po i japin të drejtën gjyqtarëve të flasin e të shpjegojnë këndvështrimin e tyre.

Vendi më i fundit që ka pranuar t’u “hapë gojën” gjyqtarëve është Italia. Presidenti i ri i Shoqatës së Gjyqtarëve në Itali, Alfredo Trentalazh, ka vendosur që gjyqtarët tashmë mund të komentojnë ngjarjet e kështu, i pari do të debutojë sot Daniele Orsato në emisionin sportiv “90 Minuto”.

Për momentin, gjyqtarëve u është e ndaluar që të flasin për ndeshjen e fundit që kanë bërë, pasi në intervistat në televizonet ku do të jenë të ftuar, duhet të komentojnë vetëm ngjarjet e të kaluarës. Kështu, për shembull Orsato nuk do të mund të komentojë ngjarjet në Specia-Parma që drejtoi këtë të shtunë. Por mendohet se me kalimin e kohës dhe me praninë më të shpeshtë të gjyqtarëve në TV, të arrihet në pikën ku edhe ata mund të intervistohen për vendimet e tyre pas çdo ndeshje. /vipsport.al/