Ndihmësi i Rejas, Porrini: Të lumtur me Ismajlin, ka diçka për të përmirësuar

Transferimi i Ardian Ismajlit dhe fillimi i aktivizimit të tij të rregullt në radhët e Specias në Serinë A, ka qënë një lajm i mire për futbollistin e padyshim edhe për përfaqësuesen shqiptare, pasi tanimë mbrojtësi po përballet me rregullsi me disa nga sulmuesit më të mirë në botë e kjo e ndihmon të bëjë një hap të rëndësishëm para në karrierën e tij. Këtë e ka pranuar edhe Serxhio Porrini, krahu i djathtë i Edi Rejas në pankinën e përfaqësueses shqiptare.

Në një intervistë për mediat italiane, ai është pyetur rreth aktivizimit të Ismajlit dhe sigurisht që kishte fjalë pozitive për mbrojtjen kuqezi, vlerat e të cilit ka nxjerrë në pah. Por njëkohësisht, ai ka treguar edhe në cilin aspekt lojtari duhet të bëjë përmirësime.  

“Jemi gjithmonë në kërkim të premtimeve për të ardhmen që mund të na rritin me kombëtaren shqiptare. Kam patur mundësinë ta stërvis dhe ta shoh nga afër, ka forcë fizike dhe shpërthim, është i fortë në mbulimin një kundër një dhe në paraprirjen e kundërshtarit, është i vëmendshëm. Duhet të përmirësohet pak në ndërtimin e lojës, por jemi shumë të lumtur me të. Do të rritet me një trajner si Italiano”, tha Porrini. /vipsport.al/