Misioni përmbysje ndaj spanjollëve, Gatuzo: Hysaj nuk është gati, fajtori i parë jam unë

Napoli pret ditën e nesërme në shtëpi Granadën në kuadër të fazës së 1/16-tave të Ligës së Europës. Italianët në ndeshjen e parë janë mposhtur me rezultatin 2-0 dhe kanë një mision të vështirë për të përmbysur këtë disfatë, mirëpo momenti që po kalojnë të kaltërit nuk është më i miri. Trajneri Xhenaro Gatuzo ka shumë të dëmtuar, ndërsa në konferencë për shtyp theksoi se edhe Hysaj nuk është gati.

“Kulibali dhe Gulam ishin në dispozicion ndaj Atalantës dhe do të jenë edhe nesër. Por, kemi humbur Osimhen, ndërsa për pjesën tjetër nuk kemi rikuperuar asnjë. Deme dhe Hysaj janë stërvitur të diferencuar, por nuk janë gati që të grumbullohen. Mertens ka punuar individualisht dhe nesër do jetë në pankinë. Mirëpo, ka kohë që nuk luan, na ka thënë që është në dispozicion, por e dimë që nuk është në 100%. Mendoj se mund të luaj 15 minuta nëse do të jetë nevoja”.

Momenti i vështirë? “Po kalojmë një moment negative, me paraqitje poshtë mundësive tona. Veshim një fanellë historike, përfaqësojmë një qytet historik dhe gjithsecili duhet të marrë përgjegjësi. Fajtori i parë jam unë, duhet të punojmë dhe të flasim pak. Është e kotë të merremi me fjalë, ajo që po bëjmë nuk mjafton si për rezultatet, si për dëmtimet. Të flasim më pak dhe të bëjmë më shumë”, u shpreh Gatuzo. /VipSport.al/