Mema: Muçi ka bërë diferencën edhe në kombëtare, Tirana të mbështetet te akademia. Partizani i rrezikshëm

Sulejman Mema, është një nga ato që Tiranën e njeh mirë, pasi pjesën më të madhe të karrierës e ka kaluar pranë ngjyrave bardheblu. Ish-futbollisti dhe ish-trajneri i kryeytetasve, së fundmi ka folur në RTSH Sport, për akademinë e klubit, nga ku dalin shumë futbollistë, mes të cilëve edhe Doka e Muçi. Mema thekson se Muçi ka bërë diferencën edhe në kombëtare te U19, ndërsa shton se me transferimin në Poloni te Legia e Varshavës, do të rritet edhe më shumë. Nga ana tjetër, Mema thekson se Tirana, duhet të mbështetet te academia, që në të ardhmen të mos ketë nevojë për të marrë lojtarë nga jashtë dhe që përfitojnë shumë para. Në fund, Mema, që ka tashmë rolin e zbuluesit të talenteve në FSHF, thekson se sheh më shumë Partizanin favorit për titullin.

Doka dhe Muçi- “Doka ka qenë pjesë e ekipeve zinxhirë, lojtarë me vlera, që në momentet e para siç mund të jenë edhe të tjerë që janë larguar nga Tirana dhe luajnë në Shqipëri. Muçi ka ardhur pak i vonuar te Tirana se ka qenë pjesë e ekipeve të akademisë së Dinamos dhe Kamzës. Kam folur me babain e tij, është mirë ta sjellësh te Tirana i kam thënë se ka mundësi më të mira se të tjerët dhe klub më me emër. Muçi u integrua te ekipet zinxhirë dhe tregoi vlera me paratërinjtë dhe me të rinjtë, derisa shkoi te ekipi i parë që ka bërë diferencën me të tjerët nga ana intelektuale. Edhe me kombëtaren U19 ka bërë diferencën. Nuk më erdhi mirë që u largua, por klubit i bën mirë nga ana financiare”.

Transferimi në Poloni- “Është kampionat i ashpër për cilësitë që ka Muçi, shpresoj t’i shkoj mirë. Duke qenë me intelekt, nëse fut edhe grintën dhe shpirtin do të bëj mirë, do të realizoj gjëra të bukura. Muçi është pjesë e ekipit kombëtar, është në ndjekje gjatë gjithë kohës nga ekipet kombëtares është në konsideratë. Bën diferencën, them që do të rritet nga ana kualitative edhe tani që shkoj në Poloni”.

Akademia e Tiranës- “Tirana ka akademi fantastike, nëse i kushton rëndësi nuk do të ketë nevojë të marrë nga jashtë. Sulmuesin që e pashë javën e fundit në stadium, ta vlerësosh me shumë lekë të paguara në muaj, mirë është të investosh te grupmoshat sepse aty e ka cilësinë, aty ka kualitetin. Klubi të mbushet me lojtarë të akademisë, të bazohet te ato se do ta ketë të sigurt edhe të ardhmen”.

Superiorja- “Kampionati nga java në javë bëhet më i bukur, shikoj protagonist Partizanin në këto momente. Javën e fundit nuk më pëlqeu Tirana që luajti me Durrësin, skuadër jo me karakterin e duhur që duhet të ketë për traditën që ka Tirana. Shoh Partizanin të rrezikshëm për të marrë kampioantin. Vllaznia e fortë, por këto oshilacionet e kohëve të fundit, ka rënë pak moralisht. Shkodranët vetë si natyrë kur kanë euforinë e duhur bëjnë mirë, tani ana morale i ka dëmtuar, nuk kanë pasur edhe futbollistët kryesorë”, u shpreh Mema. /VipSport.al/