“Më thanë që je i vjetër dhe nuk luan dot në nivele të larta”, Suarez flet sërish për trajtimin nga Barcelona

Luis Suarez duket se nuk i del e keqja me mënyrën se si u trajtua nga Barcelona, teksa drejtuesit katalanas, së bashku me trajnerin Ronald Kuman i thanë se tashmë ishte i vjetër dhe nuk mund të luante në nivele të larta. Kjo pjesë duket se e ka prekur sulmuesin që me Atletiko Madrid po tregon se blaugranët gabuan, teksa shënon vazhdimisht në Madrid dhe po udhëheq ekipin drejt titullit.

“Ajo që vërtet më bezdisi ishte se më thanë se isha i vjetër dhe se nuk mund të luaja në nivele të larta. Kjo është ajo që nuk më pëlqeu. Nëse unë nuk do të kisha bërë asgjë për tre apo katër vite, atëherë do t’i kuptoja, por unë në çdo sezon kam shënuar më shumë se 20 gola. Kam pasur gjithnjë statistikat më të mira pas Mesit.

Sot, e shohim se nuk është e lehtë të luash për Barcelonën. Shumë lojtarë që firmosën me klubin, nuk kanë pasur atë nivelin që pritej. Unë luajta për gjashtë vite me Barcelonën duke mbajtur nivel të lartë dhe duke përmbushur pritshmëritë. Te Barcelona kanë ndryshuar rrethanat, klubi duhet të ndryshojë. Unë e pranova këtë, e vetmja mënyrë që më shqetësoi ishte mënyra si ndodhi. Meritoja më shumë respekt”, u shpreh Suarez. /VipSport.al/