Marku tregon ëndrrën e madhe dhe çfarë i thoshte kundërshtarit në ring: Ishte akoma në spital!

Florian Marku i ka bërë të gjithë shqiptarët krenarë në mbrëmjen e së shtunës teksa në ring, tregoi të gjithë forcën e tij nda Rajan Çarlton. Boksieri shqiptar, e bëri kundërshtarin të dorëzohej dhe kështu vazhdon rrugëtimin e tij në boksin profesionist pa asnjë humbje, me ëndrrën që një ditë të shpallet kampion bote dhe titullin ta mbrojë në Shqipëri. Këtë Marku e ka thënë për emisionin “Shqipëria Live”, teksa ndër të tjera, boksieri shqiptar sqaron edhe atë se çfarë i fliste kundërshtarit në ring, ndërsa nuk harron të nënvizojë se sfidën të cilën ia kanë quajtur barazim, mund të ketë pasur në mes racizëm.

Vjen pas një fitoreje dhe një barazimi që u komentua si i padrejtë- “E vërtetë, ai barazim për mua dhe për të gjithë botën dhe jo vetëm shqiptarët ka qenë fitore, por quhet barazim në letra sepse besoj se ma kanë bërë me hile. Ka qenë vetëm një arbitër dhe ai arbitër, për shkak të COVID ka qenë edhe gjyqtar i ndeshjes. Besoj që ka qenë pak racist sepse nuk ka pasur arsye ta japë atë ndeshje barazim. Kush e ka parë, e ka parë që ka qenë fitore”.

Pse ishte racist? “Ky arbitër ka qenë vllai i arbitërit që më ka gjykuar në ndeshjen e kaluar, ka qenë trajner i kundërshtarit tim dhe normalisht ai nuk ka dashur që unë të fitojë. Por, në ndeshjen e kaluar e rrëzova kundërshtarin në raundin e dytë, sepse ai ka pasur në mendje të ma jepte ndeshjen humbje çfarëdo që të bëja. Por, unë e rrëzova dhe ai s’kishte si ta justifikonte humbjen dhe ma dha barazim se mbase ajo ndeshje ishte shkruajtur në letër për t’u humbur. Por, nuk ndodhi ashtu, ma dha barazim, por vazhdojmë përpara”.

Të ndikon ky barazim në renditje? “Jo, fare nuk më ndikon. Thjesht më rëndon mua personalisht se ma bënë padrejtësisht. Nëse do të ishte kundërshtari më i mirë, atëherë nuk do ishte problem, do i kisha dhënë dorën. Por, ma bënë padrejtësisht. Ishte një ndeshje që çdo raund ishte i fituar”.

Ndeshja e fundit, si ishte ndjenja e fitores? “Të them të vërtetën këto momente i kam pritur qëkur kam qenë fëmijë dhe kam punuar shumë fort. Është një natë, por unë kam punuar shumë vite për të arritur këtu. Në këtë pozicion që jam tani, në një nga organizatat më të mëdha në botë, e kam ëndërruar që fëmijë. Kam nënshkruar me Edi Hern, që është menaxheri më i madh, ka emra botëror. Jam i lumtur që ia arrita”.

Fitorja, edhe pak arrogant? “Arrogant sepse kundërshtari kishte gjashtë fitore dhe para ndeshjes tha që Florianin do ta bëjë të fshijë dyshemenë. Unë edhe i thashë para ndeshjes që do të rrah dhe kam për të të folur kur të rrah”.

Çfarë i thoje në ring? “Të them të vërtetën, kur e rrihja i thoja që e mban mend çfarë të thashë; nuk janë vetëm fjalë… Ia thoja të gjitha, sepse kjo është ajo që dashuroj më së shumti. Kam dhënë shpirtin për të arritur këtu ku jam, tani unë e shijoj në maksimum”.

Ndikon psikologjia gjatë ndeshjes? “Besoj që boksi është psikologji. Unë besoj jam shumë i fortë aty, sepse kam besim në vetvete 100%. Nuk e kam në mendje që mund të humbasë, këtë e shpreh edhe te kundërshtari”.

Kur hodhën peshqirin e dorëzimit nga cepi i kundërshtarëve? “Është e habitshme se nuk ka ndodhur asnjëherë në boksin profesionist që ta kapin peshqirin, se unë e kapa  peshqirin në ajër. Por, e prisja se kundërshtari ishte në fund. E kishim në plan ta hidhnim kundërshtarin se në fillim e lashë të lodhej pak. E pashë që do të ndalohej, kundërshtari është akoma në spital nuk e kanë nxjerrë. E pashë që nuk ishte në gjendje të vazhdonte dhe kur hodhën peshqirin ndalova së godituri, se mund t’i jepja edhe dy-tre gjuajtje, por më erdhi keq. Kapa peshqirin dhe e vura në kokë, ishte diçka instiktive”.

Ftesa për duel ndaj Konor Ben, djalit t ëish-kampionit të botës? “Ai ka qenë edhe aty, kishte ardhur kastile për të më parë. Ishte shumë larg, nuk kishim shanse të përballeshim. Kam qejf t’ia them ja dy-tre fjalë nga afër. Janë bërë shumë kërkesa ndaj tij”.

Pse nuk pranon ai? “Se e di që ka për të humbur, sepse e di që unë jap shpirtin aty në ring. Ai i zgjedh kundërshtarët me ekipin e vet, por do t’i vijë koha. Besoj se është shumë afër përballja me të”.

Një falenderim për shqiptarët që të ndjekin? “Para se të falenderoj shqiptarët, besoj e kam treguar sa shumë e dua Shqipërinë. Jam i vetmi shqiptar sportiest, që nga fillimet deri tani kam mbajtur kudo flamurin. Unë e bëj me zemër, jo për lekë se mua kurrë nuk më ka financuar Shqipëria, por jam patriot. E dua Shqipërinë, Kosovën dhe kudo ka shqipëtarë. I falenderoj nga zemra, se në fund të fundit ata më kanë bërë të njohur dhe kush jam sot. Edhe puna”.

Sfida e radhës? “Nuk është Konor Ben, ai është thjesht një emër që mua do të më japë çelsin për dyert e botës. Për kampionatin botëror. Konor Ben është si gjithë këta të tjerët që kam kaluar. Ëndrra ime është të fitoj titullin e botës dhe ta sjell ta mbroj në Shqipëri dhe me ndihmën e Zotit ka për të ndodhur 100%”.

Qejfi për boks? “Është jetë, është mënyrë jetese”, u shpreh Florian Marku. /VipSport.al/