Liverpuli përgatitet për të ardhmen pa Klop, gati kthimi i kapitenit në shtëpi

Klubi i Liverpulit po përgatitet për një lamtumirë të mundshme të Jurgen Klop nga drejtimi i skuadrës. Edhe pse tekniku gjerman është një idhull në radhët e të kuqve dhe askush nuk do të dëshironte ta shihte të largohej, është krijuar ideja se ai mund t’i japë lamtumirën ekipit ndoshta që në fund të këtij edicioni.

Gjithçka ka lidhje me të ardhmen e Joakim Lëv dhe përfaqësueses gjermane. Lëv ka nënshkruar deri rnë fund të Botërorit 2022, por nëse ekipi bën keq në Europianin e kësaj vere, nuk është çudi që ai t’i japë lamtumirën para kohe. Në Gjermani nuk shohin pasardhës tjetër në pankinën e kombëtares përveç Klop dhe mesa duket ky i fundit është i interesuar për një gjë të tillë, aq sa do të ndërpriste para kohe eksperiencën e tij në Angli.

Sipas “Daily Mirror”, klubi ka filluar ta trajtojë si shumë të mundshme këtë hipotezë, ndaj po kërkohet një zëvendësues për Klop. Emri më i lakuar që qarkullon te Liverpuli është padyshim ai i Stiven Xherard, i cili ktheu përsëri Rejnxhërs në majat e klasifikimit në Skoci dhe në drejtimin e kësaj skuadre po tregon se është gati për futbollin e rëndësishëm europian. Ish-kapiteni është një nga idhujt e tifozerisë së Liverpulit dhe mendohet se është një nga figurat që mund të ndërtojnë një cikël fitues disavjeçar në klub. /vipsport.al/