Josa: Lojtarët e Teutës janë me eksperiencë, duhet të kërkojmë gjithnjë të përmirësohemi

Kukësi luan nesër në transfertë ndaj Teutës, teksa trajneri Mirel Josa kërkon të hedhë pas krahëve humbjen e fundit me Partizanin. Në fjalën e tij para mediave, tekniku i verilindorëve thekson se kundërshtari ka lojtarë me eksperiencë, ndërsa shton se mënyra më e mirë për të ecur para është të mos përsërisin gabimet.

“Normal që është një ndeshje e vështirë, nuk mund të bëjmë diferenca ndeshje të lehta, ndeshje të vështira. Nuk ka në këtë periudhë, por edhe më përpara është parë si ka shkuar rrjedha e kampionatit. Normal që nuk ka siguri, duhet seriozitet dhe punë për t’u përmirësuar. Skuadra e Teutës është një skuadër e ekuilibruar mirë, është një skuadër që si në Durrës, ashtu edhe jashtë i ka luajtur dhe ka marrë maksimumin. Lojtarët e saj janë futbollistë me eksperiencë dhe është një skuadër e cila nuk ka pasur shumë lëvizje gjatë këtij kampionati dhe drejtuesit e saj janë munduar ta konsolidojnë sa më shumë skuadrën”.

Gjendja e skuadrës- “Vijmë pas një ndeshje me Partizanin e cila pjesë-pjesë u luajt mirë nga ne, kishte edhe momente që na ndëshkuan që nuk e përballuam dot Partizanin. Mendimin im është që nuk duhet të shohim ndeshjen me Partizanin, por të shohim gjendjen psikologjike të skuadrës sepse këtu çedojmë pak”.

Sa e vështirë është të arrihet vazhdimësia? “Ne nuk duhet të kërkojmë të mesme, sepse e mesmja e një skuadre varet nga niveli i skuadrave të tjera. Ne duhet të kërkojmë përherë përmirësimin e skuadrës sonë, është një grup që kërkon të përmirësohet. E kanë treguar që pas një ndeshje të mirë, kemi bërë një ndeshje të dobët pastaj jemi përmirësuar sërish”.

Teuta edhe në Kupë, llogari? “Nuk ka asnjë llogari, ne mundohemi të ngrejmë nivelin e skuadrës si nga ana taktike ashtu edhe nga ajo teknike. Pjesa fizike është kjo që kemi, sepse nuk kemi çfarë të përmirësojmë për momentin. Unë e shoh në rezultat dhe klasifikim që ne do të pretendojmë të jemi në nivelin e ekipeve që janë sipër nesh dhe iu thashë se ka të bëjë përmirësimi dhe mënyra si. Gabimet e një ndeshje të mos i përsërisim ose t’i bëjmë më pak, kjo është mënyra më e mirë për të ecur para”, u shpreh Josa. /VipSport.al/