Gatuzo nuk përmbahet: Po të bënim ne çfarë bëri Granada, do na masakronin mediat botërore

Xhenaro Gatuzo nuk ka fshehur dëshpërimin e tij pas eliminimit të Napolit në Ligën e Europës, por mbi të gjitha për mënyrën se si erdhi rezultati. Ai e ka cilësuar të papranueshme që në ditët e sotme të lejohej një futboll si ai që bëri Granada, me shumë pak lojë efektive si pasojë e vonesave të shumta.

“Kush na përfaqëson, duhet të bëjë që të na repektojnë më shumë. Kemi parë edhe atë që ka ndodhur në ditët e kaluara dhe nëse një skuadër italiane ia lejon vetes që të bëjë atë që bëri Granada sot, do të ishim në të gjitha gazetat. Në pjesën e parë kemi luajtur 16-17 minuta lojë efektive, ndaleshin çdo herë për 3 minuta, është e papranueshme. Nëse një skuadër italiane do të interpretonte një ndeshje siç bëri sot Granada, ditën më pas do të ishim masakruar në të gjitha gazetat botërore”, ishte apeli i Gatuzos.

Sipas tij, skuadra ishte eliminuar për çështje fati nga turneu, pasi kishte bërë gjithçka siç duhej. “Në pjesën e parë nuk mungoi asgjë, kemi pësuar edhe sot një gol absurd, tre kundër një në zonë dhe kemi pësuar gol. Më pas nuk më kujtohen më aksione të tjera. Situata është kjo, duhet të jemi krenarë për atë që kemi bërë dhe mbetet pengu pasi edhe më 10 lojtarë në të dy ndeshjet kemi treguar se kemi diçka më shumë se ata”, tha trajneri i napolitanëve. /vipsport.al/