FSHF nis të korrigjojë gabimin e madh në “Air Albania”: Fusha ndaj Anglisë në gjendje të mirë, jo optimale

Problemi i fushës së stadiumit “Air Albania” është kthyer shpesh në temë diskutimi po aq sa ndeshjet e luajtura në të, me trajnerin Reja dhe lojtarët që kanë shprehur hapur pakënaqësinë për kushtet ku luajnë. Një situate e cila shtyu FSHF-në që të merrte në konsideratë deri në momentin e fundit që të ndryshonte stadium për sfidën ndaj Anglisë.

Por në fund u vendos që të luhej në këtë impiant, pasi FSHF u bind që të bënte investimin që kishte anashkaluar në fillim, atë të llambave që përdoren për fushën dhe që ndihmojnë në rritjen e barit në pjesë ku ka pak ndriçim natyral e që janë dëmtuar gjatë gjithë kësaj kohe. Pajisjet kanë mbërritur në Shqipëri dhe tashmë ka nisur një garë me kohën për të rehabilituar fushën dhe për ta bërë atë sa më të përshtatshme për një ndeshje të niveleve të larta, duke pasur parasysh se sfida e marsit ndaj Anglisë do të tërheqë interes të gjerë ndërkombëtar.

“Sistemi i ndriçimit me llamba të posaçme për fushën kanë mbërritur. Janë prodhim i një prej kompanive holandeze lider të kësaj fushe në botë, që kanë sistemet e tyre në shumë stadiume të Europës, si në Itali, Gjermani, Francë, Holandë, etj. Pra, është i njëjti sistem që përdoret në të gjithë stadiumet më të mira të Europës.

Mendoj që fusha do të jetë në gjendje mjaft të mirë, nuk mund të them në gjendje optimale, sepse koha është shumë e shkurtër në dispozicion para ndeshjes së marsit. Fusha do të kthehet në një gjendje të mirë sidomos në pjesën jugore të stadiumit, ku bie hija dhe llambat shërbejnë pikërisht për të rritur rrënjët e barit, pra për të krijuar një fushë më stabël edhe në atë pjesë”, ishin fjalët e adminisratorit të stadiumit, Kejdi Tomorri për faqen e FSHF, duke bërë të qartë se bëhej fjalë për përmirësimin e tapetit aktual për këtë sfidë, pasi në të arhdmen do të vendosej një tapet hibrid që do të mundësojë zhvillimin normal të sfidave.

 “Ne kemi iniciuar një sërë procesesh që kanë të bëjnë me shkriftimin e fushës, procesi i ‘verti drain’, ajrimi i fushës dhe më pas do të bëhet një mbjellje e fushës për të proceduar me vendosjen e llambave, që do të stimulojnë akoma më tepër rritjen e barit. Ky është një plan imediat për ndeshjen me Anglinë dhe në përfundim të ndeshjes me Anglinë do të vijë një tapet hibrid, që përdoret gjerësisht në stadiumet e mbyllura në Europë dhe më gjerë. Me vendosjen e tapetit të ri pastaj ne pretendojmë që këtu të luhen një numër akoma më i madh ndeshjesh, deri në dy ndeshje në javë pa u dëmtuar fusha”, shpjegoi ai. /vipsport.al/