FOTO / Humbja ndaj Tiranës, revoltë në rrjetet sociale nga tifozët e Vllaznisë

Fundi i javës së 21-të të Kategorisë Superiore sheh përsëri si kryesuese Vllazninë, e shkëputur me 3 pikë ndaj ndjekësit më të afërt. Për tifozët e cilësdo skuadër, kjo mund të cilësohet një arritje mëse e mirë në këtë pjesë të sezonit. Por në Shkodër, kjo situatë po përjetohet si një disfatë e madhe, aq sa pas humbjes ndaj Tiranës, rrjetet sociale janë mbushur me komente të tifozëve kundër skuadrës e drejtuesve.

Me Vllazninë që kishte krijuar një distancë që dukej e pakapshme deri pak javë më parë, tifozët kishin filluar të ëndërronin një titull kampion që u mungon prej 2 dekadash në Shkodër. Por humbja me Tiranën ka bërë që diferenca të reduktohet ndjeshëm dhe skuadra tashmë ka filluar të shohë nga afër të gjithë ndjekësit që e kanë nisur edicionin me synime të qarta për titullin, ndryshe nga shkodranët që si objektiv kishin vetëm Europën.

Në faqen zyrtare të klubit në Facebook janë me qindra komentet që janë shfaqur pas humbjes me bardheblutë, të cilat kritikojnë lojtarët, drejtuesit, stafin e këdo tjetër që është përfshirë në projektin e Vllaznisë. Kritika për situatën në të cilën gjendet skuadra që ka fituar 1 nga 6 ndeshjet e fundit, e cila sipas tyre ka marrë rrugën e pakthyeshme të mesit të tabelës edhe në këtë sezon e pas pak kohësh, vendi i parë do të jetë një mirazh.

Ajo që ka shqetësuar e ka lënë më të pakënaqur tifozët, është fakti se Vllaznia nuk po shfaq të paktën lojën që kërkohet prej saj. Sipas tyre, për ekipin është e papranueshme të shafqet në këtë mënyrë pa identitetin që kërkojnë tifozët, të cilët janë të gatshëm të falin humbjet, por jo paraqitjet pa ngjyrë. Një situatë që duhet të shqetësojë padyshim shumë në klubin shkodran, i cili deri tani kishte qenë i qetë sa i përket trysnisë së tifozve. Ai duhet të bëjë llogaritë edhe me këtë faktor nga tani e tutje, duke ia bërë edhe më të vështirë javët e mbetura të këtij sezoni që gjithsesi, deri tani mbëtet përtej pritshmërive./vipsport.al/

DISA NGA KOMENTET