Flet personi që zbuloi Lautaro Martinez: Për ne argjentinasit është “pyka” e dekadës

Lautaro Martinez është një nga personazhet kryesorë të Interit të Antonio Kontes. Ai dhe Romelu Lukaku garantojnë golat, falë të cilave zikaltërit janë aktualisht në vendin e parë të kampionatit dhe kërkojnë të rrëzojnë nga froni Juventusin. Ndërkohë, argjentinasi edhe pse para pak kohësh ishte në diskutim nëse do të vazhdonte karrierën me Inter, duket se është bindur për të qëndruar ende në Itali dhe për të provuar të fitojë tituj me Interin.

Së fundmi, për Lautaron ka folur edhe personin që e ka zbuluar për herë të parë talentin e 23-vjeçarit. Fjala është për Fabio Radaeli, i cili thekson se Inter për të është një vend i mrekullueshëm dhe se prania e Havier Zanetit është shumë e rëndësishme.

“Pa dyshim që Lautaro mund të bëhet më i miri në botë në rolin e tij. Është vetëm 23-vjeçar dhe tashmë është një nga sulmuesit më të mirë në Europë. Për ne argjentinasit është “pyka” e dekadës.

Kam folur para pak kohësh me të, është në qiellin e shtatë, sidomos për lindjen e vajzës. Unë gjithnjë kam qenë i idesë se Interi është një vend i mrekullueshëm për të dhe akoma më shumë kur aty është edhe një institucion si Havier Zaneti”, u shpreh Radaeli. /VipSport.al/